Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, kryeministri grek Qirjakos Mitsotakis është takuar me Presidentin serb Aleksandar Vuçic, i cili loboi sërish kundër Kosovës tek kreu i qeverisë së vendit fqinj.
Presidenti serb i kërkoi Greqisë që të mos ndryshojë qëndrimin për njohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Beogradin.
Dy liderët u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Sipas medieve serbëve, Vuçic i tha Mitsotaqis se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ai ka falënderuar Greqinë për mbështetjen që i ka dhënë dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Vuçiç iu ankua kryeministrit grek për taksën e vënë nga Kosova ndaj produkteve serbe, duke u shprehur se ky vendim ka sjellë shumë probleme për Beogradin.
Mitsotaqis, në anën tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se “veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë për vazhdimin e tij”.
Mitsotaqis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur bie fjala tek njohja e Kosovës. Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Javë më parë, presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka thënë se do të diskutojë me zyrtarët kushtetues mundësinë që vendi i tij të tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.