Ne rrjet

Vuçiç: I jam besnik, nuk sfidoj vullnetin e Angela Merkelit!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se po bën të pamundurën të mbesë në histori si njeriu që do të sheshojë dallimet etnike dhe territoriale në Ballkan. Në një intervistë të fundit me revistën amerikane “Bloomberg”, ai deklaroi se ishte besnik kancelares gjermane Angela Merkel dhe vizionit të saj për Ballkanin.

Aleati më i madh i Rusisë në rajon thotë se nuk do të sfidojë vullnetin  e kancelares Merkel, sado e vështirë që mund të jetë kjo. "Ne duhet të tregojmë drejtësi dhe besnikëri," tha Vuçiç në një intervistë në pallatin e tij presidencial në Beograd. "Të flasësh me Merkelin nuk e lehtë," tha ai. "Por unë kurrë nuk do të them kurrë asgjë kundër saj."

Deklarata e papritur e kreut serb vjen ndërkohë që karroca e anëtarësimit në Bashkimin Europian është duke testuar lidhjet tradicionale të Ballkanit me aleatët si Rusia apo Turqia. Vuçiç është vendosur nga kancelaria gjermane në qendër të kësaj lufte midis Lindjes dhe Perëndimit dhe është parë si çelësi për realizmin e planit të BE-së dhe Gjermanisë për t’i mbajtur udhëheqësit e rajonit në të njëjtin bord.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha para zgjedhjeve në Bosnje se BE-ja duhet të garantonte perspektivën europiane të rajonit, ose Ballkani rrezikonte të shkonte drejt konflikteve të dhunshme. Nacionalisti serb, Milorad Dodik, aleat i ngushtë i Vuçiçit është tanimë lideri më i fuqishëm në Bosnje. Si ai ashtu edhe Vuçiç duan të rivendosin kufijtë për të forcuar shtetin serb.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Angela Merkel 

Por Vuçiç duhet të arrijë një marrëveshje me Kosovën, si kusht për t’u anëtarësuar në BE, së bashku me reformimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Vuçiç dhe Hashim Thaçi, dukej se ishin më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje këtë verë. Ata kanë hedhur tezat për një shkëmbim territorial, por qeveria e Merkelit e krahasoi këtë marrëveshje të mundshme me hapjen e Kutisë së Pandorës.

Gati dy dekada pas luftës së përgjakshme për pavarësi, ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk është më një tabu për Perëndimin. Diskutimet për një shkëmbim të mundshëm territorial mes dy vendeve duket se kanë tanimë “dritën jeshile” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Europian. E vetmja që qëndron e palëkundur, nga ana tjetër e “murit të rezistencës” për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, duket se është Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila këmbëngul se “kufijtë janë të shenjtë.” Teza Thaçi-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve duket se ka “trokitur” fillimisht në Uashington, ku Shtëpia e Bardhë është shprehur e hapur për çfarëdolloj zgjidhjeje. John Bolton, këshilltari i Donald Trump e bëri të qartë këtë para pak ditësh, kur tha se SHBA do të mbështesë çdo marrëveshje, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve nëse arrihet ujdia mes Serbisë dhe Kosovës.

Por Angela Merkel ka këmbëngulur se qeveria gjermane është e bashkuar për të kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës. Gjatë takimeve të saj me kryeministrin e Malit të Zi dhe kryeministrin e Kroacisë

Merkel e bëri të qartë se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë.  Megjjithatë ajo ia ka dalë të mbajë deri më tani nën kontroll ambiciet e presidentit serb, duke e kthyer këtë të fundit në një nga aleatët më të vyer në Ballkan. Në të vërtetë, Vuçiç ofron stabilitet dhe ka mbikëqyrur me sukses një sërë masash shtrënguese të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të reduktuar borxhin e Serbisë dhe deficitin buxhetor duke ulur pagat dhe pensionet në sektorin publik, të cilat janë pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të ekonomisë serbe që synon përmbushjen e kritereve të zgjerimit të BE.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Vladimir Putin

Ai ka mbajtur një qendrim të moderuar ndaj Kosovës, duke deklaruar se serbët dhe shqiptarët duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku. Ky qëndrim ka qënë mjaft i vlefshëm për Merkelin, pasi normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është ndoshta përparësia kryesore e BE-së në Ballkan

Por ajo është e kujdesshme në presionin që ushtron mbi Vuçciç, duke pasur parasysh lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin. Serbia është tradicionalisht pjesë e sferës së ndikimit te Rusisë, edhe pse BE është deri tani investitori më i madh në Beograd.  Rusia dhe Kina, të cilat janë bashkuar me Serbinë në refuzimin e saj për të njohur Kosovën, tani zotohen publikisht për të mbështetur çdo qëndrim që merr vendi ballkanik. Megjithatë, Rusia është e kujdesshme për të mbështetur çdo marrëveshje që mund të përshpejtojë anëtarësimin e Serbisë në BE dhe mund të zvogëlojë më tej gjurmët e saj në Ballkan.  Edhe pse bisedimet me Prishtinën zyrtare kanë ngecur, Vuçiç pret që të takohet me Thaçin në Bruksel, duke premtuar në mënyrë të përsëritur se nuk do t'i japë Kosovës një njohje të plotë të pavarësisë së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë