Kosova

Vuçiç: Fitore e vogël taktike në Bruksel, pritet presion edhe më i madh

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.

Në konferencën për media Vuçiç tha të enjten se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, tha se me këtë marrëveshje Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Edhe Lista Serbe e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka thënë se targat KM mbeten në përdorim dhe se ato do të mund të vazhdohen, por “të reja nuk të lëshohen tani për tani”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashikonte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë