Kosova

SHBA-ja mirëpret marrëveshjen për targat

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t'u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më të mirë për të çuar përpara të ardhmen europiane të Serbisë dhe Kosovës”.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Kryediplomati europian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Sipas BE-së, “palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”, si dhe “çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit (e Brukselit)”, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat ilegale serbe.

Në deklaraten e Price, mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.

Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Për këtë ka reaguar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenieri ka thënë se mirëpret këtë marrëveshje, duke u shprehur se në këtë mënyrë ruhet siguria dhe avancohen përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.

Kujtojmë se me këtë marrëveshje është parashikuar që Serbia të mos lëshojë më targa me emërtime të qyteteve në Kosovës, kurse autoritetet kosovare nuk do të detyrojnë shoferët që kanë këto targa t’i riregjistrojnë makinat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë