Bota

Vuçiç arrin në Sarajevë me 10 mijë vaksina

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, arriti të martën në një vizitë zyrtare në Sarajevë, së bashku me 10,000 vaksina kundër koronavirusit. Udhëheqësi tha në Aeroportin e Sarajevës se “është i lumtur nëse këto vaksina shpëtojnë jetë në Bosnje Hercegovinë”.

“Cilëndo vaksinë që e duan qytetarët e Bosnjës, ne do ta shpërndajmë. Çështja është te besimi në njëri-tjetrin. Ne kemi pritur ndihmën e njerëzve shumë më të fuqishëm, por po mbështetemi te njëri-tjetri. Ne në Serbi nuk mund të jemi të lumtur nëse njerëzit në Sarajevë, Banja Llukë nuk janë të lumtur”, tha Vuçiç.

Republika Srpska, ka nisur vaksinimin në shkurt, po ashtu me vaksina ruse Sputnik V të dhuruara nga Serbia. Beogradi i ka dhuruar po ashtu vaksina edhe Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke marrë kështu rolin e një bamirëse në Ballkan.

Serbia besohet se ka vaksinuar numrin më të madh të qytetarëve kundër koronavirusit dhe ka siguruar deri më tani më shumë se 2 milionë vaksina. Autoritetet serbe kanë thënë se kanë siguruar vaksina ruse, kineze dhe të kompanive perëndimore, si: Moderna, Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur ende imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë