Ekonomi

Vrojtimi i BSh, tre kambana alarmi për ekonominë

Një anketë e zhvilluar në maj-qershor të vitit të kaluar nga ana e Bankës së Shqipërisë nxjerr në pah simptoma shqetësuese mbi gjendjen e ekonomisë së vendit. Alarmi i parë i sondazhit, në të cilin kanë marrë pjesë 2010 persona është se në gjysmën e parë të 2019 u rrit numri të familjeve që shpenzojnë më pak se 200 mijë lek të vjetra në muaj në krahasim me 2018-ën.

“Gjatë 6-mujorit në analizë, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të të ardhurave, duket se është zhvendosur pak drejt niveleve të ulëta krahasuar me 6-mujorin e kaluar. Kështu, pjesa më e madhe e familjeve (rreth 53% e tyre) vijon të mbetet në nivelin ‘17-50 mijë lekë’. Nga ana tjetër, rreth 11% e tyre deklarojnë të ardhura të ulëta mujore “deri në 17 mijë lekë”, në rritje me 1 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e dytë të vitit 2018), 27% deklarojnë të ardhura mujore ‘50-100 mijë lekë’ dhe 7% deklarojnë të ardhura në nivelin “100-200 mijë lekë”, thotë BSH.

Nga sondazhi, Banka e Shqipërisë thotë se niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve ka rënë në 6-mujorin e parë të 2019-ës, ku më e theksuar ka qenë rënia e shpenzimeve.

Gjetja e dytë sugjeron një periudhë të vështirë për biznesin e vogël, apo biznesin familjar. Banka e Shqipërisë verën se në këtë anketë numri total i të punësuarve ka rënë, megjithëse numri i të punësuarve në administratën shtetërore dhe në sektorin privat është rritur. BSh e faturon rënien tek grupi i të vetëpunësuarve, që zakonisht janë biznes familjar, kryesisht në fushën e tregtisë dhe shërbimeve.

“Numri total i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka rënë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë. Në terma vjetorë, kjo ka ardhur nga rënia e numrit të të vetëpunësuarve, ndërkohë që punësimi në sektorin shtetëror dhe atë privat ka rezultuar në rritje”, thotë BSh.

Gjetja e tretë e Bankës së Shqipërisë është niveli i ulët i familjeve shqiptare që deklarojnë të ardhura në valutë, kryesisht në euro. BSH thotë se vetëm 14 për qind e personave që iu përgjigjen kësaj pyetjeje deklaruan se kanë të ardhura në euro. Shifra ka mbetur thuajse e pandryshuar në dy vitet e fundit. Kjo shifër nuk justifikon zhvlerësimin historik që pësoi euro përgjatë gjysmës së parë të 2019 dhe e lë pa përgjigje pyetjen se çfarë e shkaktoi këtë zhvlerësim, që arriti kulmin në muajin gusht, kur një euro u këmbye me 121 lek.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë