Ekonomi

Eksperti i Moody’s: Në Shqipëri po zhduket shtresa e mesme

Ilir Hysa, ekonomist i nivelit të lartë dhe prej do kohësh Drejtor i Asociuar pranë Moody’s Corporation, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Si”, i bën një skaner ekonomisë shqiptare duke adresuar të gjitha problematikat ndaj institucioneve përgjegjëse për gjendjen aktuale ekonomike dhe financiare të shqiptarëve. Frika e investitorëve strategjikë për shkak të çështjeve të pazgjidhura të pronësisë, klima jo e favorshme e biznesit, papunësia e lartë, ku një në katër të rinj numërohen të papunë, korrupsioni, monopolet në tregje të ndryshme, skema e koncensioneve PPP dhe mungesa e vullnetit për të ndryshuar situatën, janë disa prej çështjeve që diskuton në këtë intervistë ekonomisti shqiptar në Moody’s Corporation. Ai gjykon se duhet të implementohen reforma strukturore në mënyrë të menjëhershme dhe të ndërtohet një model ekonomik kah prodhimit duke investuar tek turizmi, energjia dhe bujqit e vegjël.

Intervista e plotë

Shqipëria e ka mbyllur 2017-ën me 3,84 për qind rritje. Tremujori i parë i këtij viti rezultoi me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto 4,5 për qind. Këto janë shifrat e publikuara nga institucionet shqiptare. Sa reale janë shifrat e publikuara nga institucionet shqiptare? A besoni ju tek këto statistika?

Ilir Hysa, 
Drejtor i Asociuar pranë Moody’s Corporation

Së pari, më lejoni të sqaroj se vlerësimet e mia nuk përfaqësojnë këndvështrimin që mund të ketë Moody’s, kompania për të cilën unë punoj, por vetëm vlerësimin tim rreth ekonomisë së Shqipërisë bazuar në të dhënat e publikuara nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe bazuar në njohjen time jashtë këtyre të dhënave.

Fillimisht dua të theksoj se shifrat e rritjes ekonomike mbartin kuptimin e duhur kur vendosen në kontekstin e duhur. Vlen të përmendet se jo gjithmonë rritja në PBB reflekton rritje të mirëqenies për qytetarin e zakonshëm, i cili duhet të jetë objektivi kryesor i çdo vendi. Pra, kjo rritje e PBB-së nuk e ka përmirësuar domosdoshmërisht jetesën e qytetarit shqiptar krahasuar me tremujorin,apo vitin e mëparshëm. Këto shifra nuk thonë asgjë për shpërndarjen e të ardhurave. Polarizimi i të ardhurave në shoqërinë shqiptare nuk ka asnjë shembull tjetër krahasues në Europë. Vende të tjera lindore kanë arritur të bëjnë hapa në ndërtimin e klasës së mesme, Shqipëria jo,ndërsa raste të polarizimit ekstrem në milionerë (madje miliarderë) dhe të varfër të rropatur, si ai i Shqipërisë mund të gjenden vetëm në vendet e Amerikës Latine.

Foto ilustruese

Ju thoni se publiku shqiptar nuk i beson shifrat e rritjes ekonomike dhe ka plot arsye të mos i besojë. Sipas Bankës Botërore, 28.4 për qind e qytetarëve shqiptarë jetojnë në varfëri. Institucioni botëror konstaton nevojën e reformave strukturore dhe rëndësinë e përmirësimit të qeverisjes. Këto janë arsyet pse shoqëria shqiptare mbetet e mbërthyer nga një krizë e thellë besimi. Për më tepër, njëra nga shtyllat bazë tërritjes së ekonomive kapitaliste është funksionimi dhe besimi tek institucionet. Kur dëgjon rreth shifrave të tilla, votuesi i informuar ka të drejtë të pyesë: Nëse ekonomia po rritet me ritme të tilla të shëndetshme, atëhere pse mbetet shkalla e papunësisë nga më të lartat në rajon? Këtu nuk kam parasysh vetëm shifrën e përgjithshme 12.4 për qind, apo 22.6 për qind për moshat 15-29 vjeç që raporton Instituti i Statistikave bazuar në Anketën Tremujore të Forcave të Punës.

Sigurisht, duhet vënë në pah fakti që shifra të tilla nuk përfshijnë qytetarë që punojnë me ngarkesë të pjesshme (part time), por dëshirojnë të kenë një pozicion me ngarkesë të plotë. Edhe sikur të mos ketë asnjë dyshim në cilësinë e shifrave që publikon INSTAT, vetë shifrat zyrtare përshkruajnë një realitet të zymtë: Në çdo katër të rinj njëri është i papunë. Kjo është njëra nga shifrat më të larta zyrtare të papunësisë mes të rinjve në rajon.

Për më tepër, këto shifra maskojnë efektin e thellë social të largimeve të vazhdueshme nga Shqipëria. Si pasojë e këtyre largimeve, Shqipëria vazhdon të vuajë tkurrjen e vazhdueshme të popullsisë, humbjen e fuqisë punëtore,por edhe të fëmijëve, që një ditë do të bëhen kontribues të ekonomive të vendeve të tjera.

Tkurrja e popullsise se Shqiperise nder vite

Nëse nuk do të vazhdonte largimi i qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të tjera, shkalla e papunësisë do të ishte ende më e lartë sesa ajo e raportuar. Por gjithsesi, le t'u kthehemi shifrave të publikuara nga vetë institucionet shqiptare. Pyetja më e rëndësishme, siç e lashë të kuptohet më lart, është: A do të jenë të qëndrueshme shifrat e raportuara të rritjes ekonomike dhe si do të ndikojnë ato në standardin e jetesës së qytetarëve shqiptarë? Unë besoj se jo, nëse nuk luftohet korrupsioni masiv, që do të ndihmonte t’i bënte hallkat burokratike më produktive dhe do të ndryshonte perceptimin e shtetit në sytë e qytetarëve. Humbja e kapitalit njerëzor dhe kriza e thellë e besimit tek institucionet shtetërore, që përmenda më lart janë pengesa serioze për ekonominë shqiptare

Renditja e 100 kompanive më të mëdha dëshmon se ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor. Ajo nuk prodhon, por dominohet nga bizneset tregtare, ato të ndërtimit si dhe kompanitë e shërbimeve. Qeveria vetë duket se është përqendruar tek turizmi dhe bujqësia. A besoni që qeveria shqiptare ka një model të qartë ekonomik? Nëse jo, a ka ardhur momenti, sipas jush që qeveria shqiptare të përcaktojë një model të qartë ekonomik, ku të fokusojë energjitë e saj?

Po, e keni thënë shumë mirë: Ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor. Mentaliteti i këtij tranzicioni të gjatë se gjithë ata që merren me tregti fitojnë nuk mund të vazhdojë të diktojë vendimet ekonomike. Sigurisht që Shqipëria nuk mund të konkurrojë me Gjermaninë, Italinë e vende të tjera europiane në drejtim të teknologjisë së prodhimit dhe si e tillë nuk mund të ketë pritshmëri reale në fushën e prodhimit të të mirave materiale që kërkojnë teknologji të avancuar. Por, në tregtinë ndërkombëtare ekziston një parim i quajtur përparësia krahasuese, sipas të cilit një vend specializohet në një industri të caktuar për aq kohë sa ka kosto më të ulët krahasuar me kostot e mundësive që nuk ndiqen. Për ta konkretizuar, Shqipëria nuk mund të prodhojë kompjutera, pasi një industri e tillë kërkon fabrika dhe teknologji të avancuara, të cilat vendi nuk i ka, por mund të prodhojë patate apo bimë mjekësore. Në këtë pikëpamje, qeveria ka të drejtë kur zgjedh bujqësinë e turizmin,kjo sepse avantazhi krahasues në rastin e Shqipërisë krijohet falë pasurive natyrore, klimës së përshtatshme mesdhetare dhe pozicionit të favorshëm gjeografik. Por, hendeku krijohet kur krahason atë që kjo qeveri dhe ato para saj kanë bërë për bujqësinë e turizmin me retorikën e tre dekadave. Unë personalisht besoj se këta dy sektorë janë përdorur si tema premtimesh elektorale më shumë sesa si burime strategjike të rritjes ekonomike.

Në fushën e bujqësisë fokusi duhet të jenë prodhuesit e vegjël dhe jo domosdoshmërisht vetëm mbështetja financiare nëpërmjet kredive me interes të ulët. Eleminimi i monopoleve në tregtinë e karburanteve, farërave, plehrave kimikë dhe inputeve të tjera bujqësore do t’i lejonte fermerët e vegjël shqiptarë të siguronin një masë normale fitimi, ndryshe nga ajo sot. Masa të tilla duhet të kombinohen me akses më të mirë në tregjet rajonale. Prodhimi i energjisë së rinovueshme duhet gjithashtu të jetë mes prioriteteve të ekonomisë shqiptare. Sërish, falë natyrës së larmishme dhe të favorshme për projekte energjitike që nuk ndotin ambjentin, Shqipëria mund të plotësojë nevojat e saj dhe të eksportojë energji.

Si i gjykoni investimet, kryesisht ato të huaja në Shqipëri dhe një mendim për skemën e qeverisë “partneritet publik-privat”, e kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare, si skemë me risk të lartë për financat e vendit dhe aspak transparente?

Shqipëria mbetet një vend që nuk ka zgjidhur përfundimisht çështjen e pronësisë dhe e drejta mbi pronën private sipas standardeve perëndimore mbetet e pambrojtur. Investitorët seriozë e kanë të vështirë të investojnë në një vend ku qytetarët posedojnë disa palë dokumentacioni për të njejtën parcelë toke, për të njëjtën ndërtesë, për të njëjtin liqen, e kështu me radhë. Në këtë pikëpamje, çdo skemë, përfshirë atë që bazohet në një model partneriteti publik-privat mbetet një slogan i bukur që është e destinuar të dështojë dhe e përsëris, faji nuk është i modelit të zgjedhur, por i mungesës së sanksionimit të parimeve bazë të një ekonomie të bazuar në konkurrencën e lirë. Por, parime të tillë shpesh bien ndesh me njerëzit që kontrollojnë pushtetin. Për shembull, një tender transparent për një projekt të caktuar mund të ishte ai që fuste më shumë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por ai mund të nxirrte fitues dikë jashtë qarkut të ngushtë rreth pushtetit. Pra, kjo histori ka edhe një dimension tjetër, atë të investitorëve vendas. Shumë njerëz krijues me shpirt biznesi mbeten jashtë garës, sepse mund të mos kenë lidhjet e duhura me pushtetin. Por, pavarësisht nëse flasim për të huaj apo vendas, klima është njëlloj e dëmshme. Dua të sjell këtu një shembull nga litaratura botërore. Ekonomisti i njohur peruan, Hernando De Soto na ka dhënë një libër me titull "Misteri i Kapitalit: Pse kapitalizmi Triumfon Në Perëndim dhe Dështon Gjetkë", ku sqaron se ndryshimi më i madh mes këtyre dy pjesëve të botës është se në perëndim konkurrenca e lirë e mban kapitalin gjallë, e vë atë në punë, ndërsa në vendet në zhvillim, konflikti, mungesa e institucioneve funksionale e lë kapitalin të vdekur. Libri është jo vetëm një sprovë teorike e autorit, por edhe një përmbledhje e disa eksperimenteve që De Soto zhvilloi në shumë vende të botës me ekipin e tij. Koncepti ishte i njejtë: Nisja e një biznesi të ri. Në perëndim nuk kishte nevojë as të njihje njeri dhe as të paguaje dikë, por thjesht të paguaje tarifat e miratuara, ndërsa në vendet në zhvillim ai konstatoi se shuma e caktuar mbarohej duke paguar hapat burokratikë dhe bakshishet. Në fund, De Soto kishte fituar leje për biznesin e ri, por nuk i kishin mbetur para të investonte. Kjo është pak a shumë edhe Shqipëria. Më keq ende, vendet e mbrapshta për të cilin flet De Soto nuk kanë përjetuar eksod masiv si Shqipëria.

Për të gjitha arsyet që përmenda dhe për faktin që sektori shtetëror në Shqipëri shihet si diçka për t'u mjelur, rreziku që ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar për financat publike si pasojë e të ashtuquajturit partneritet privat-publik është real. Kjo sepse slogane të tilla janë gjuhë e koduar për të afruar e fuqizuar njerëzit rreth qeverisë. Në ekonomitë kapitaliste është konkurrenca e krijuar nga mundësitë e fitimit ajo që dikton investimet, jo sloganet qeveritare. Por, kur transparenca mungon dhe pasiguria bën të tërhiqen edhe ata që kanë mundësi të investojnë, e merr ferra uratën shpejt. Shqipëria nuk mund të ndjekë rregullat e lindjes, të ndërtojë shoqëri nën thundrën e një grushti oligarkësh dhe të aspirojë hyrjen në Europë. Natyra e pazakontë e Shqipërisë ka tërhequr jo rrallë vëmendjen e të huajve. Për shembull, revista prestigjioze Forbes shkruante para disa muajve se Shqipëria është e pazakontë, ka lidership të pazakontë dhe do që të hyjë në Europë. Nuk dua të sugjeroj që gjithçka e pazakontë e cituar aty është negative, por mesazhi që del është se ka nevojë për më shumë seriozitet. Në shkrim Shqipëria quhet vendi më i varfër dhe më i korruptuar i kontinentit Europian.

Shqipëria nuk po arrin dot që të tërheqë investitorë të huaj të fuqishëm. Investimet e fundit të mëdha janë thithur vite më parë dhe, ose kanë përfunduar, ose janë në fazë përfundimi, si rasti i HEC-it të Devollit dhe gazsjellësi TAP. Përveç situates së pafavorshme të ekonomisë europiane, cilët janë faktorët vendas, sipas jush, që pengojnë thithjen e investimeve strategjike?

Është fare e thjeshtë: Nga këndvështrimi i investitorëve të huaj shteti shqiptar nuk ka krijuar as besimin dhe as garancitë që nevojiten për dikë që vjen të investojë në përgjithësi, aq më pak për projekte gjigante. Kur them shteti, e kam fjalën tek pjesët përbërëse të tij: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Laureati i çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 1993 Douglass North i quan institucionet “kufizime njerëzore të ndërtuara për të strukturuar ndërveprimet politike, ekonomike e sociale ("humanly devised constraints that structure political, economic and social interactions"). Pra suksesi i një shoqërie apo ekonomie varet nga perfeksionimi dhe harmonizimi larg konfliktualitetit të këtyre lidhjeve.

Nëse i referohemi gjithçkaje në letër, gjërat duken pak më mirë, por kush ka nevojë për letra kur ligjet nuk zbatohen, kur keqbërësit nuk ndëshkohen sepse janë afër njerëzve me pushtet?! Pastaj, e drejta mbi pronën nuk ka fituar statusin që ka në Europën Perëndimore, madje edhe në disa vende lindore. Përveç problemeve të së drejtës mbi pronën, edhe klima konfliktuale politike dhe korrupsioni rampant e pengojnë shumë krijimin e një klime të shëndetshme biznesi. Në literaturën ekonomike thuhet se institucionet nuk garantojnë rritje ekonomike, por ato janë parakusht për një ekonomi të shëndetshme dhe kur flitet për institucione, shpesh ato mendohen si hallkat e ndryshme të pushtetit dhe ky është keqperceptimi më i madh. Siç e le të kuptohet North, Instutucionet nuk janë thjeshtë ndërtesa, por tërësia e parimeve dhe rregullave që duhen ndjekur për të garantuar suksesin shoqëror dhe ekonomik. Raportet që vendosen janë “thembra e Akilit”. Për shembull, ka një arsye pse bankat qëndrore që bëjnë politikën monetare të shteteve duhet të jenë të pavarura nga politika. Pushteti ekzekutiv mund të ndikohet nga ngjarje politike, siç janë zgjedhjet elektorale dhe mund të mos jetë objektiv në marrjen e vendimeve të duhura ekonomike. Më keq ende, pushtetet mund të interferojnë në punët e njeri-tjetrit. Në rastin e Shqipërisë ka shumë shembuj ku kryeministri bën prokurorin e gjykatësin dhe këta të fundit struken nga frika, apo pranojnë heshturazi pazaret e pista në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Sikur kjo të mos mjaftonte, të akuzuarit jo vetëm që nuk japin llogari, por ngjiten deri në majat më të larta të piramidës së shtetit shqiptar. Përtej ndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit, jo rrallë institucionet e kanë parë veten në luftë. Përplasjet e vazhdueshme të ekzekutivit me gazetarët janë shembulli më i prekshëm për qytetarët shqiptarë.


"Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk i bëjnë nder Shqipërisë"- Dr. Ilir Hysa

Ndoshta po bëni habi që u largova kaq shumë nga ekonomia, por dua të theksoj se Shqipëria ka ende shumë për të bërë në drejtime që kanë rëndësi në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në klimën e aktivitetit ekonomik. Fundja, pse duhet të hedhin para të huajt në një vend ku asgjë nuk është e garantuar dhe ku qytetarët duan t’ia mbathin nga sytë këmbët sapo iu jepet mundësia?!

Nëse një biznes i huaj do t’u kërkonte mendim për njëprojekt-investim në Shqipëri, në cilën fushë a sektor të ekonomisë shqiptare do ta orientonit?

Si shqiptar, do të sugjeroja industrinë e burimeve të rinovueshme dhe të pastra të energjisë dhe turizmin. Si ekonomist, do të isha më i kursyer në rekomandime,përndryshe, nuk do të isha i ndershëm më të vërtetën. Duhet shtuar se në fund të fundit problemet e Shqipërisë nuk janë vetëm pasojë e mëkateve të pushtetit ndër vite. Ato janë edhe reflektim i babëzisë për të fituar financiarisht me çdo mjet dhe pavarësisht kostove. Qytetarët shqiptarë në shumë raste e nxjerrin mllefin që kanë me pushtetarët e tyre të korruptuar duke dashur të fitojnë shpejt, edhe pse me mënyra primitive, pse jo edhe të paligjshme. Për shembull, pse duhet që shitësi ta caktojë çmimin sipas blerësit që afrohet për të blerë dhe jo bazuar në mallin që shet?! Ka shumë anektoda rreth çmimeve më të shtrenjta në plazhet e bregdetit shqiptar për shqiptarët nga Kosova, apo të huajt sesa për qytetarët e Shqipërisë. Kështu tërhiqet turizmi, njëra nga industritë prioritare të vendit?

A ka Shqipëria avantazhe për të tërhequr investitorët e huaj karshi vendeve të tjera?

Sigurisht që Shqipëria ka avantazhe të padiskutueshme falë burimeve natyrore, pozitës së saj të favorshme gjeografike dhe afërsisë me tregun e madh Europian. Pa dyshim, ky avantazh është më i dukshëm ndaj fqinjëve pa dalje në det.

Çështja më delikate nuk është ekzistenca e këtyre mirësive, por është imazhi, si e shohin Shqipërinë të huajt. Nëse ata ndjejnë në vorbullën e konfliktualitetit perpetual primitiv se “dyqani është i mbyllur”, ata nuk kanë pse trokasin as për të blerë, as për të shitur dhe as për të investuar. Kur vjen fjala për turizmin, për shembull, suksesi do garantohej kur vizitorët të gjejnë mirësinë dhe bujarinë tradicionale shqiptare në çdo cep të Shqipërisë dhe të kthehen sërish, madje edhe me miqtë e tyre. Kualifikimi në fushën e turizmit duhet të fitojë rëndësi më të madhe nëse Shqipëria do të konkurrojë me destinacionet turistike në rajon.


Borxhi publik prej 68.7 për qind mbetet ende shumë i lartë, ndërsa me ligj duhet të jetë deri në 40 për qind në kushtet e ekonomisë tonë. Cilat janë sipas jush mekanizmat më efikasë qëmund t’i përshtaten ekonomisë shqiptare për uljen e borxhit, por pa e rënduar më tej barrën fiskale për qytetarët shqiptarë?

Borxhi publik tregon hendekun që ekziston ndërmjet nevojës për financimin e programeve sociale, por edhe abuzimeve me fondet publike, siç është raportuar në mjetet e informacionit dhe të ardhurave të pamjaftueshme buxhetore. Në kushtet e një papunësie të lartë, borxhi nuk mund të ulet me ulje shpenzimesh në programe të ndryshme sociale.Zgjidhja është kryesisht zgjerimi i bazës së bizneseve dhe fuqisë punëtore që paguajnë taksa. Rruga tjetër do të ishte reduktimi i organikës në sektorin publik, veprim ky jo shumë popullor, sidomos kur afrohen zgjedhjet. Për këto arsye, një raport prej 40 për qind i borxhit me prodhimin bruto do të ishte utopi për një ekonomi që prodhon aq pak. Një raport më realist do ishte arritja e 60 përqindëshit, që përcakton mandati për vendet e Bashkimit Europian sipas Traktatit të Manstrihtit,kjo edhe për faktin se me rritjen graduale të shkallës së interesit Shqipëria do të paguajë jo vetëm për kreditë që ka marrë e do të marrë, por do paguajë më shumë edhe për interesin e kredive të marra.

Si e parashikoni ekonominë shqiptare në terma afatmesëm?

Dua të besoj se Shqipëria do të hyjë në rrugën e një ekonomie të begatë në dekadën që vjen, por kjo vetëm nëse reformimi i sistemit gjyqësor vë para ligjit abuzuesit dhe largon ata individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me shërbimin publik, duke i kthyer qytetarëve shqiptarë besimin e humbur. Kjo do të mund të kthejë besimin tek institucionet shtetërore, mund të ndalë eksodin masiv dhemund të krijojë premisa më të mira zhvillimi. Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë duke lëvizur në drejtimin e duhur. Për shembull, infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm në dy dekadat e fundit dhe përveç përmirësimit të lidhjeve tregtare do të ndihmojë edhe turizmin, përfshirë atë kulturor. Fluksi i informacionit është një plus tjetër. Sinergjitë rajonale, sidomos lidhjet me Kosovën, do të lejojnë krijimin e një tregu më të madh dhe mund të bëhen shtysë e re. Shqipëria mund të bëhet një vend i zhvilluar agro-turistik me specializim në burimet energjitike të pastra.

Por, për t’u kthyer tek turizmi, Shqipëria ka shumë potencial, sepse ka plot t’i tregojë botës nga bukuritë natyrore, historia e saj e dhimbshme dhe nga tradita e saj e pasur. Që të ndodhë kjo, më shumë duhet bërë në ruajtjen, dokumentimin e kultivimin e historisë e të vlerave shpirtërore. Nuk mjafton vetëm marrja në mbrojtje nga UNESCO e qyteteve dhe institucioneve historike e kultorore. Qytetarët duhet të ndihmojnë në mbjelljen e farës së një ekonomie të orientuar nga turizmi. Ligji duhet të ndëshkojë ashpër dëmtuesit e monumenteve të kulturës, shtëpive muze, e busteve e përmendoreve të figurave të shquara të kombit.

Nje shitese ambulante pjek geshtenjat. Foto LSA

E fundit, ekonomia e fortë krijohet nga njerëz punëtorë e krenarë, siç janë shqiptarët, por edhe nga qytetarë që nuk shiten për një thes miell për votën e tyre dhe që zbatojnë ligjin. Shqipëria ka pasuri natyrore e shpirtërore të cilat i njeh edhe bota. Gjatë një bisede të para disa viteve me Norman Gershman, autori i dokumentarit “Besa”—ku portretizohet bujaria shqiptare në mbrojtjen e hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore—ai iu përgjigj kështu një pyetjes time në lidhje me orientimin e Shqipërisë në vitet e fundit: “Ju shqiptarët nuk keni shumë për të shitur, por ju keni diçka të veçantë për të cilën bota sot ka shumë nevojë. Ju keni besën. Tregojani botës këtë thesar tuajin!”

Qeveria ka nisur diskutimet mbi paketën fiskale, ku dy janë risitë, ulja e tatimit mbi dividentin nga 15 në 6 për qind dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për pagat e larta nga 23 në 18 për qind. Si i vlerësoni këto ndërhyrje?

Mendoj se hapat e propozuar në paketën e re fiskale janë tregues i nevojës për të rikalibruar një ekonomi që ka nevojë të jetë më konkurruese, por që në të njëjtën kohë vuan pasojat e korrupsionit galopant dhe polarizimit të skajshëm. Kalimi i reformave të tilla nuk është unik për Shqipërinë kur afrohet llogaridhënia ndaj elektoratit. Por, nëse do të tentonim të matnim efektin makro-ekonomik të masave të parashikuara në paketën fiskale, ai do ishte minimal, kjo sepse risitë fokusohen në reformimin e taksimit për pagat e larta kryesisht. Ulja e dividentit dhe tatimit për pagat e larta synon të ulë evazionin dhe të nxisë konsumin, por paradoksi qëndron në faktin se janë punonjësit me rroga të ulëta ata që kanë prirje më të lartë margjinale për të konsumuar dhe mund ta ndihmonin ekonominë më shumë. Ata përfaqësojnë pjesën më të madhe të popullsisë, por nuk përfitojnë nga ndryshimet e propozuara.


Intervista nga: Sabina Veizaj dhe Mentor Kasa

Shënim: Ilir Hysa është njohës i mirë i sfidave me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Mban titullin Doktor i Shkencave Ekonomike. Ka punuar si lektor i ekonomisë në City University of New York, State University of New York dhe në Globe Institute of Technology në Nju Jork. Ka qenë punonjës kërkimor në Research Foundation of the City University of New York dhe Brookings Institution në Washington. Tani në Moody’s Analytics, një divizion i Moody’s Corporation, Dr. Hysa është pjesë e ekipit që mbikëqyr dhe bën kontrollin cilësor të parashikimeve të prodhuara të parametrave ekonomikë për shumë shtete të botës. Ai gjithashu ndihmon klientët e kompanisë, kryesisht banka të mesme e të mëdha, në përgatitjet e tyre për testet vjetore përpara rregullatorëve federalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë