Rend dhe Ligj

Vritet oficeri i policisë pas operacionit antidrogë në Lezhë. Autori vetëplagoset gjatë rrethimit nga RENEA

Një oficer policie i Krimeve në Lezhë, Saimir Hoxha, 45 vjeç, është vrarë me armë zjarri, gjatë kohës që ishte në krye të detyrës në zonën e Ishull-Lezhës. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit, si Aldi Rama dhe pas disa orësh kërkimesh ka arritur ta prangosë atë pasi ky i fundit - sipas policisë - kishte tentuar vetëvrasjen dhe është në gjendje shumë të rëndë në spital. Nënkomisari Saimir Hoxha ishte baba i dy fëmijëve dhe jetonte në Tiranë. Ndërkohë dy persona janë të shoqëruar për këtë ngjarje.

Sipas policisë, 21-vjeçari Aldi Rama, është vetëqëlluar me armën e krimit. Zyrtarisht policia bën me dije se i riu është në gjendje kritike për jetën. Mësohet se Rama ka qëlluar veten gjatë operacionit policor të RENEA-s për kapjen e tij, që zgjati thuajse 5 orë pas ngjarjes së rëndë. Sipas policisë, efektivët i kanë bërë thirrje që të dorëzohet, por Rama ka kundështuar dhe më pas është vetëplagosur.

Forca të shumta policie e kanë ndjekur të riun me helikopter dhe nga toka, duke bërë të mundur lokalizimin e tij, teksa ishte fshehur në zonën e kënetës në Lagunën e Vainit.

Zona ku qëndroi i fshehur Aldi Rama para se të rrethohej dhe kapej nga policia

Gjatë aksionit për kapjen e autorit të dyshuar, policia ka krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje atij që të dorëzohej. Aldi Rama nuk ka pranuar, por sipas policisë është vetëplagosur me armën e tij. Ai është transportuar nga në spital në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur një grup efektivësh anti-drogë, janë qëlluar me armë zjarri nga disa persona që dyshohet se janë trafikantë, ku si pasojë u plagos oficeri Shehu, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Autori i dyshuar u identifikua menjëherë nga policia. Ai ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Oficeri i krimeve në Lezhë, Saimir Hoxha

Madje për të, u vunë në dispozicion nga Policia e Shtetit 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion që mund të çonte në kapjen e tij.

Si ndodhi ngjarja

Mësohet se tre policët, që sipas burimeve të Gazetasi.al, kanë qenë pa uniformë dhe në një makinë pa fenelinë policie, ktheheshin nga një operacion ku kishin asgjësuar rreth 110 kg kanabi sativa.

Duke u kthyer pas aksionit, ata kanë vërejtur një automjet që bënte manovra në rrugë, duke iu kërkuar më pas personave që ndodheshin në mjet të ndalonin.

Në automjet është konstatuar se kanë qenë tre persona, dy përpara dhe një i tretë në sediljen e pasme, ku dyshohet për Aldi Ramën.

Forcat e policisë dhe RENEA-s të stacionuara në zonën e Lagunës së Vainit

Pasi oficerët i janë drejtuar mjetit, 21-vjeçari që ndodhej në sediljen e pasme ka qëlluar katër herë me pistoletë dhe një nga plumbat ka goditur në zemër oficerin Hoxha.

Dy policët e tjerë kanë ndërhyrë, duke arrestuar dy personat që ndodheshin në sediljen e parë, ndërsa Rama ka arritur të largohet.

Oficeri Hoxha ishte me origjinë nga Puka dhe prej vitesh ishte punonjës policie në Lezhë dhe Shëngjin. Ai ishte baba i dy fëmijëve dhe jetonte në Tiranë.

Zona ku ndodhi ngjarja, e rrethuar nga shiritat e policisë

I dënuar me mbi 3 vite burg për kanabis, u lirua para rreth 4 muajsh

Aldi Rama ishte liruar nga burgu më 6 maj 2021 nga Gjykata e Lezhës e cila kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Po ashtu, Gjykata e Lezhës e ka dënuar Ramën me 5 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, por më pas është dënuar me 3 vite e 4 muaj për shkak të moshës së re.

Rama ka qenë në arrest shtëpie pasi ishte arrestuar më herët me 30 doza hashash si person që shpërndante dhe kultivonte drogë në Lezhë. Ai është rritur nga gjyshi i tij pasi, prindërit i janë ndarë në moshën 12-vjeçare.

Pikërisht lidhur me këto dyshime për kultivimin edhe shpërndarjen e drogës, policia zhvilloi operacionin ku merrte pjesë edhe efektivi Saimir Hoxha.

Ai sëbashku me kolegët ishte pjesë e një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Aldo Rama, autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të krimeve në Lezhë

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë