Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së martës në një fshat të Lushnjës.
Një person ka mbetur i vrarë përpara banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shegas, rreth orës 21:30, ku viktima është 48-vjeçari Qemal Alla, ish-kryeplak i fshatit.
Sipas policisë, 48-vjeçari është qëlluar me armë zjarri në momentin kur ka zbritur nga makina e tij për të hapur portën e shtëpisë.
Sipas banorëve dhe të afërmve, 48-vjeçari jetonte vetëm me bashkëshorten e tij, ndërsa një djalë që kanë jeton në Greqi me familjen. Banorët thonë se përpara ngjarjes, Qemal Alla ishte në lokalin e fshatit, të cilin e kanë vëllezërit e tij, ku pasi ka pirë kafenë, është nisur drejt banesës së tij. Ata thonë se dëgjuan vetëm një krismë.
Viktima ka qenë kryeplak katërvjeçarin e kaluar, kur ky fshat ishte pjesë e komunës Golem.
Ai ishte fermer dhe nuk rezulton person me precedent penal. Policia dhe FNSH ndodhen në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Lushnjës. Nuk dihen ende detaje për rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.