Drejtësia

Vrau kunatën në sy të vajzës së vogël, Apeli dënon me burg përjetë Erdet Çapokun

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Erdet Çapokun, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kunatës së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020 në Tiranë, ku Enkelejda Çapoku, 30 vjeçe, u vra nga kunati në sy të vajzës së mitur. Erdet Çapoku e qëlloi disa herë me një shkop bejsbolli gruan e vëllait të tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Autori, i cili u arrestua pas krimit, para hetuesve tha se e kishte vrarë kunatën për shkak se nuk e respektonte dhe se i kishte kthyer të afërmit kundër.

Pas ngjarjes, 34-vjeçari është arrestuar te “Kupola” në zonën e Laprakës në kryeqytet. Deri dy vite më parë, viktima dhe autori i krimit jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira afër njëri-tjetrit.

Gruaja jetonte me vajzën e saj, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.

Kunati e përndiqte Enkelejdën, prej kohësh duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën. Për këtë arsye, gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës.

Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që në janar të vitit 2020, të futej në banesën e saj, duke shkelmuar derën dhe duke vrarë të renë në sy të vajzës dhe nënës së saj.

Para togave të zeza, Çapoku ka pranuar krimin dhe shfaqur pendesë, duke shtuar se e kishte marrë inat kunatës duke nisur nga momenti që ajo e kishte denoncuar në Polici për përndjekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë