Njerez

Pse gratë përfundojnë të vrara?

Nga *Entela Binjaku- Sapo janë mbyllur edhe për këtë vit 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Shqipëria i është bashkuar prej vitesh fushatës që nis me shumë zotime dhe ambicie në çdo 25 nëntor dhe mbyllet në Ditën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Pavarësisht këtyre zotimeve, zakonisht shifrat e raportuara për gra të dhunuara apo që kërkojnë urdhra mbrojtjeje, janë ato që “tradhtojnë”. Motoja e këtij viti qëndronte në fushatën ndërgjegjësuese kundër dhunës seksuale. Në rastin e dhunës seksuale çështja në rastin tonë ndërlikohet disi, sepse dukuria përballet edhe me qëndrimet kulturore ndaj kësaj teme.
Në rastet kur dikush ndalohet për dhunë të ushtruar, sesi ka arritur puna deri aty, opinioni nuk arrin të mësojë. Zakonisht mjaftohet me disa shpjegime që flasin kryesisht për rrethanat e çastit. Kur është fjala për dhunën seksuale, në këto raste shoqëria më shpejt e gjen shkakun tek gruaja, sesa të kërkojë të thellohet në njohjen e gjithë dukurisë. Ose mjaftohet me veshjen e saj, ose me sjelljen që e nxit këtë reagim mashkullor. Dhuna me bazë gjinore nuk mund të trajtohet e veçuar nga shoqëria e varfër në të cilën ndodh. Po të trajtohej si e tillë, atëherë do të mbetej sërish e pastudiuar dhe do të vazhdonte të krijonte premisa për të mbetur në po të njëjtat nivele. Varfëria në thelb nënkupton privim prej mundësive që mund të kishin ndryshuar cilësinë e të jetuarit, pra është edhe ajo dhunë. Një shoqëri që bashkëjeton me dhunën e ka të vështirë të mbajë qëndrime ndaj abuzuesit dhe të dhunuarit. Por në këtë shoqëri nuk mund të anashkalohen edhe modelet e trashëguara, që përplasen me modelet e sjelljes që kërkon shoqëria bashkëkohore. Të tilla përplasje degradojnë shpesh në dhunë ose krijojnë një atmosferë mungese komunikimi të vazhdueshme që rrit premisat për të bashkëjetuar me të, duke as mos treguar për të. Po kjo shoqëri është edhe e paedukuar ose e painformuar mbi teoritë që shpjegojnë motivet se pse një njeri sillet në një mënyrë të caktuar. Ndër to më të spikaturat janë teoritë që mbështeten mbi doktrinat e personalitetit, që e shpjegojnë sjelljen mbi bazën e impulseve të brendshme, mbi mënyrën sesi këto energji individuale, të ndodhura në të pandërgjegjshmen, lëvizin dhe orientohen në raportet me të tjerët. Sjellja e dhunshme e ka një shpjegim. Edhe qëndrimi ndaj dhunës e ka një shpjegim. Por shpjegimi duhet kërkuar e jo thjesht stigmatizuar.

Për shembull Bandura është një studiues që flet për “sistemin e të mësuarit të sjelljeve shoqërore”. Ai flet për mënyrat e sjelljes (edhe të reja) që mund të ndërtohen përmes vëzhgimit të sjelljes së të tjerëve apo përmes përvojës së drejtëpërdrejtë me ta. Ndikimi prej modeleve krijon prirjet për sjellje të përhershme. Të shumta janë kërkimet që kryhen për të gjetur ndonjë shpjegim nëse sjellja mësohet falë reagimit që lidhet me pasojat, apo efektet e kësaj sjelljeje janë të mësuara që më parë. Në këtë proces të mësimit të sjelljes sipas modeleve, një vend me rëndësi zë procesi i vëmendjes, i të të mbajturit mend, dhe kur shihet në praktikë, ai mbetet edhe në kujtesë. Këtu edhe riprodhimi motorik merr një rëndësi tjetër. Pra edhe nëse një individ gëzon aftësitë e mira të vëzhgimit, të vëmendjes dhe të kujtesës, ai sëpaku do të kishte mësuar një sjellje sociale të mirë në rast se do ishte në gjendje edhe ta riprodhonte në mënyrë motorike.
Fushatat kundër dhunës ndaj gruas në shumë prej zonave të varfra të vendit kanë depërtuar pak. Duket sikur situata nuk ka ndryshuar: kështu ka qenë 10 vjet më parë, kështu duket dhe sot. Gruaja është e nëpërkëmbur, e dobët ekonomikisht, e dhunuar edhe fizikisht; në fshatra jeta është edhe më e vështirë. Ka gra që vuajnë varfërinë dhe nën presionin e saj vuajnë edhe dhunën e ushtruar nga “ai që ka zërin më të lartë në shtëpi dhe forcën”, bashkëshorti i tyre. Sot kemi shumë burra që kanë vrarë bashkëshortet e tyre, që janë në burg dhe vuajnë dënimin, por kemi mjaft të tjerë që nuk i gjen asgjë sepse askush nuk i denoncon. Frika e gruas se do të mbesë në mes katër rrugëve duke pasur më shumë hallin e fëmijëve, siç ato vetë e pohojnë është e madhe. Ndaj dhe kjo frikë i bën të të mos flasin dhe të durojnë dhunën mbi to. Nuk është e lehtë të flasësh për dhunën, kur vetë shoqëria ka më shumë interes për zhvillimet politike sesa për atë që ndodh me përditshmërinë e qytetarëve të saj. Nuk është e thjeshtë të flasësh për një grua që dhunohet, sepse shoqëria bën më shpejt atë “fajtore dhe shkaktare” ndërsa burrin e konsideron pasqyrë të sjelljes së saj. Shpesh disa nga rastet e dhunës që ndeshim janë aq të ashpra sa natyrshëm ngrihet pyetja: nga buron kjo dhunë? Si ka mundësi jemi kaq të kufizuar për të njohur ndjeshmërinë? A është kjo vetëm e disave apo ndodh tek shumë prej nesh?

Mendoj vjen nga edukata-ne vijmë nga familje ku prindërit kanë jetuar duke i injoruar nevojat emocionale. Si fëmijë jemi rritur pa pasur hapësirën ose pa ditur si të përqendrohemi tek vetja. Më shpesh jemi edukuar si të mos zhgënjejmë, sesa si të zhvillojmë personalitetin tonë. Ka shumë njerëz që kanë pranuar të hyjnë në raporte ku nuk ndjehen as të pranuar e as mire. Në këto raste më shumë jetojnë si të mbrohen, si të mos lëndohen, vetëm me kërkesën që të mos jenë ata fajtorët, ata të mos lëndojnë, duke pranuar çdo lloj dhune mbi veten. Shumë nga të rriturit tanë janë mësuar ose edukuar thjesht të injorojnë veten. Shumë prej tyre janë pasardhës të familjeve ku prindërit vareshin nga njeri- tjetri kryesisht për të plotësuar mungesat, ishin shpesh të shkëputur emocionalisht, pra kujdeseshin për njeri- tjetrin por të paaftë për të kuptuar si ndjehej tjetri, të paaftë për të dhënë përkëdhelje apo dashuri. Nga këta pasardhës, të lindur dhe edukuar në këto familje, ka shumë që jetojnë duke mos reflektuar mbi veten, jetojnë në pozita të vetëmbrojtjes në raporte që nuk japin asnjë siguri. Ndaj dhe për të gjetur një përgjigje se pse femrat shqiptare (por edhe ne përgjithësi) arrijnë deri ne piken ku vriten nga bashkëshortet apo edhe vrasin veten, por nuk tregojnë paraprakisht për dhunën, duhet të kuptojmë të gjithë kontekstin ku jetët zhvillohen, të gjithë mjedisin shoqëror, ndikimi i të cilit është i lartë.

*Entela Binjaku është sociologe


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë