Mbi 3200 gra kërkuan urdhër mbrojtje gjatë vitit 2019 për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre jo vetëm nga partnerët, por edhe të afërm të tjerë sikurse vëllezërit e tyre, kunetërit apo edhe vjehrrat. Shumë prej tyre më pas rezultojnë që të jenë tërhequr nga kërkesa për urdhër mbrojtjeje, ndërsa më të vendosurat ishin ato gra ndaj te cilave dhuna ishte përsëritur dhe episodet e rrahjeve ishin rënduar nga njëra tjetra.
Gjatë dy viteve Gazeta Si konkludon se janë vrarë në familje 23 gra dhe konkretisht në vitin 2018, 11 prej tyre u masakruan kryesisht nga bashkëshortët. I njëjti fenomen u pa edhe gjatë 2019 ku edhe rezulton të jenë vrare, mbytur, qëlluar me sende të forta, si leva apo sëpata apo dhe me armë zjarri (çifte) 12 gra.
Rezulton se kryesisht krimi ndaj grave ka ndodhur ose për mos pranim të ndarjes, ose për shkaqe që lidhen drejtpërdrejtë me varësinë e bashkëshortëve nga alkooli. Por nuk përjashtohet edhe raste të vrasjeve për shkak të varfërisë apo xhelozisë sikurse marrja e jetës së Ardiana Shahollit, vrasësi i të cilës kërkoi falje mes lotëve në gjykatë dhe vetëm belbëzonte “çfarë bëra pse smë vrisni?”. Më i rëndi rezultoi therja e një gruaje në Librazhd, Lule Gjokola, e cila u qëllua për vdekje në sy të fëmijës, më pas burri i saj u vetëhodh nga ballkoni i shtëpisë.
Një grup i vogël grash u mblodhën para drejtorisë së policisë së Tiranës këtë të shtunë për të protestuar në heshtje për vrasjen e femrave në vend. Ato ndezën qirinj dhe vendosëm këpucë të braktisura si simbol për jetët e marra, një formë proteste që shpesh është mbajtur në Ballkan kryesisht për emigrimin masiv, ndërsa në Europë këpucët bosh janë lidhur direkt me reagimin e shoqërisë për vrasjen e femrave.

Masakrimi i Enkelejdës nga kunati dhe dëshmitë e familjarëve
Enkelejda Capoku u masakrua nga kunati i saj Erdet Capoku, pas konflikteve mes tyre që zgjatën pesë muaj. Enkelejda nënë e një vajze 18 vjeçe kishte refuzuar të merrte urdhërin e mbrojtjes, atëherë kur policia i mori një denoncim ndaj 34 vjeçarit. Por siç tregojnë burimet e Gazetës Si, gruaja ka rrëfyer aso kohe se kërkonte ndihmën e policisë që kunati ti largohej nga shtëpia. Vrasësi në atë kohë tha se “po e ruante kunatën pasi ja kishte lënë porosi i vëllai”. Mosmarrëveshja doli në dritë pasi siç pretendonte Erdeti, “ai e kishte parë Enkelejdën me një burrë tjetër”.
Siç thonë burimet për gazetën Si, vrasësi është ripyetur disa herë pas krimit edhe për episodin kur e ka kanosur për të kuptuar dhe sqaruar nëse masakrimi i 38 vjeçares ka qenë i mirëmenduar prej tij. ” Nuk e kanosa atëherë, e pashë në lokal me të dashurin e ri. Nuk kisha hallin e saj, por të mbesës, vajzës së tim vëllai që Enkelejda e merrte përherë me vete” ka thënë gjatë këtyre orëve 34 vjeçari.
Por me herët ai ka thënë se e ndiqte këmba këmbës kunatën pasi i vëllai në burg ia kishte lënë porosi ti ruante nderin, ndaj dhe ai i bënte fotografi ngado që gruaja shkonte. Por policia nuk di të thotë nëse vrasësi ditën e krimit, piu enkas që të ishte i alkoolizuar kur të kryente masakrën, apo e kreu vrasjen nga efektet e alkoolit.
Gjatë orëve të para kunati vrasës pretendoi se nuk mbante mend gjë pasi kishte pirë gjithë ditën raki e birra, madje nuk kishte shkuar as në punë për shkak të dehjes. Por më pas gjatë ripyetjes 34 vjeçari ka shtuar “ia kisha bërë benë, se ajo një ditë më tha nuk të lë pa të futur në burg”.
Nga ana tjetër agjentët e Kamzës nuk japin shpjegime se përse viktima nuk kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. “Në atë kohë ne insistuam dhe gruaja bëri një kallëzim të sforcuar për kanosje, por për këtë vepër nuk parashikohet arrestimi, por ndjekja në gjendje të lirë. Dosja u referua në prokurori dhe nuk kishim indicie që në familje situata është agravuar kaq shumë” shpjegoi një punonjës i policisë, i cili mendon që kunati i kishte shpallur luftë gruas shumë përpara se të shqyente derën e shtëpisë dhe të hynte për ta vrarë.
Por a është ky një krim për shkak të së drejtës së pronësisë? Ekspertët e policisë pohojnë se vështirë të besohet ky version i dhëne nga palët që pretendojnë se gjithçka nisi pas largimit të vrasësit nga banesa, i cili iku me qira, por pretendonte disa sende personale në banesë.
Burimet e gazetës Si shtojnë Erdet Capoku deri një vit më parë jetonte në të njëjtën banesë me Enkelejdën dhe pas largimit ai herë pas here pretendonte disa orendi duke deklaruar se shumicën e tyre i kishte blerë ai. Por ka dyshime qe ky pretendim nuk qëndron ashtu sikurse edhe justifikimi se i vëllai i kishte kërkuar ti ruante gruan. Burime të gazetës Si shtojnë se janë pyetur edhe vëllai dhe motra e vrasësit që kanë shpjeguar se askush nuk i kishte thënë të gjurmonte kunatën dhe ta fotografonte atë. Por ai ishte bërë i çuditshëm, kanë shtuar në polici të afërmit “dhe nuk dimë nëse këtë ndryshim ia solli droga, alkooli apo diçka tjetër”.
Policia thotë se motivin e vrasjen në rast se nuk e rrëfen i riu, do ta zbulojë kqyrja e tabulateve telefonike dhe ekspertiza e telefonit, edhe e viktimës edhe i vrasësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.