Drejtësia

Vrau gruan në Elbasan, Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Koço Buzon

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë Koço Buzon, si autor i vrasjes së gruas së tij në vitin 2021 te Gjykata e Elbasanit.

Buzo, ish-punonjës policie, kishte bërë ankim në Apel, duke kërkuar rigjykim nga trup tjetër gjyqtarësh, por kërkesa e tij u rrëzua.

Liljana Buzo u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, në dalje të Gjykatës, pas një procesi gjyqësor për procedurat e divorcit.

Sipas prokurorisë, ai e kreu krimin pasi i kishte kërkuar bashkëshortes të mos e denonconte dhe të mos divorcoheshin.

Nga të shtënat me armë mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, një kalimtar i rastit, Gëzim Toçila si dhe Adriatik Kola. Autori i vrasjes u vu në pranga nga policia, pak minuta pas krimit.

Liljana Buzo ishte kërcënuar nga 58-vjeçari mbrëmjen e së mërkurës që të mos shkonte në gjykatë.

Bashkëshorti i saj Koço Buzo e goditi fillimisht me thikë dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine, duke  e lënë të vdekur në vend.

Plumbat kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, njëri prej tyre me profesion avokat, të dy jashtë rrezikut për jetën.

Koço Buzo, armën e mbante në një çantë sportive dhe sipas informacioneve policore, ishte nisur për të hyrë drejt e në sallën e gjyqit, ku dhe kishte planifikuar të kryente vrasjen e gruas, pikërisht brenda ambienteve të gjykatës.

Në fakt, vrasja e gruas nga bashkëshorti ish-efektiv policie në Elbasan, ka qenë një krim i paralajmëruar. Që prej vitit 2020, viktima Liljana Buzo kishte denoncuar të shoqin Koço Buzo për dhunë e kërcënime të vazhdueshme.

Presioni verbal i ish-policit kishte arritur deri aty sa kishte kërcënuar të shoqen me vrasje, ndërkohë që viktima sa herë që keqtrajtohej, largohej nga banesa, teksa fshihte edhe shenjat e dhunës që të mos i shikonin fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë