Dosje

Vrau fqinjen në Kuçovë, sherri nisi për mbarështimin e bagëtive dhe borxhin e pakthyer

Një borxh prej 6 mijë lekësh për mbarështimin e bagëtive, duket se qëndron pas vrasjes së 64-vjeçares Fatime Suli nga fqinji i saj Fetah Marra në Kuçovë.

Sipas dëshmisë së dhënë prej tij në prokurori, gjithçka ka nisur për një borxh 6 mijë lekë, që sipas Marrës, viktima ia kishte atij dhe fqinja nuk ia jepte prej disa kohësh.

Marra ka pohuar se sherri nisi pasi gruaja nuk pranonte t’i jepte lekët për “shërbimin që cjapi i tij kishte bërë ndaj dhive të Sulit, duke i ndërzyer ato”. Sipas tij, gruaja kishte mbarështuar tufën e dhive me cjapin e tij të racës dhe i kishte ngelur pa dhënë akoma lekët.

Marra ka deklaruar se ka shkuar për t’i kërkuar borxhin, por pasi gruaja ka filluar t’i gjuajë me gurë, ai e ka kapur për fyti.

Viktima u gjet e pajetë në një kanal mbrëmjen e 20 janarit 2022 në lagjen "Havaleas" të fshatit Kozare në qytetin e Kuçovës.

Mësohet se familjarët kishin disa orë që e kërkonin dhe kishin kërkuar më pas ndihmën e policisë. Trupi i pajetë i 63-vjeçares është gjetur në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Autopsia mjeko ligjore nxorri se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e mbytjes.

Kjo vuri në lëvizje policinë duke marrë në pyetje banorët dhe duke këqyrur pamjet filmike në kamerat e sigurisë në disa biznese në zone, duke identifikuar edhe autorin Fetah Marra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë