Ngjarje

Krimi në Kuçovë, autori i divorcuar dhe pa familje, fqinjët: Kishte probleme, por nuk kurohej

Autori i dyshuar i vrasjes së Fatime Sulit nga fqinji i tij Fetah Marra, ka tronditur banorët e fshatit Kozare të Kuçovës. Përveç kësaj, autori dhe viktima kanë pasur lidhje krushqie me njëri-tjetrin. Fqinjët dhe të afërmit e tyre tregojnë se autori njihej si person me probleme të shëndetit mendor, por nuk kurohej.

Një banor i fshatit, i cili gjithashtu ka lidhje krushqie me familjen e viktimës, hedh poshtë mundësinë që të jenë konfliktuar për një borxh.

“Atij i kam dhënë mbesën. Çunit të kësaj, i kam dhënë çupën e motrës. Ishte gjysmak ai, me të meta mendore. Arsyen nuk e di pse e ka bërë. Borxh nuk bën vaki. Ai nuk ka lekë, - thotë banori. - Kjo është si puna e atij çunit tre vjeç nga Fieri. Që akoma nuk është marrë vesh si ka ndodhur. Me kemp ishin të dy ata, edhe ai, edhe ajo. Edhe kjo nuk ka qenë mirë këto kohët e fundit, ka pasur probleme. Si ka ndodhur nuk e di njeri”.

Nipi i bashkëshortit të viktimës, deklaron se autori nuk ka pasur familje dhe prej kohësh ishte ndarë edhe nga gruaja.

“E kam nusen e xhaxhait. Ai është ashtu. Falënderoj Policinë e Shtetit që e zbardhi ngjarjen. Të marrë ndëshkim maksimal. Njihet si budalla në zonë, por nuk kurohej. Ai është monstër. Ai nuk ka pasur kurrë familje. Ka qenë i martuar, është divorcuar”, - shprehet ai.

Të njëjtën gjë pohojnë disa banore të fshatit që janë nisur për ngushëllim në familjen e viktimës. “Jemi fqinj, asgjë nuk e kemi. Kemi ardhur për respekt. Ka qenë grua e mirë, familjare. Me burrë, me dy fëmijë të shkëlqyer. Ai (autori) është pa grua, pa familje. E ka lënë gruaja, e ka ndarë”, thonë ato.

Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Kozare të Kuçovës mbrëmjen e të enjtes. 64-vjeçarja Fatime Suli nuk u kthye në banesë si zakonisht, gjë që alarmoi familjarët, të cilët pas disa kërkimeve të tyre lajmëruan policinë.

Një orë më pas, gruaja është gjetur e pajetë e hedhur në një kanal, e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe në lagjen "Havaleas", vetëm 1 km larg banesës së saj. Policia përdori kamerat e sigurisë të disa bizneseve për të zbuluar autorin e dyshuar të ngjarjes.

Nuk dihet lidhja që kishin viktima dhe autori me njëri-tjetrin dhe as rrethanat në të cilat ata u gjendën të dy në vendin që ndodhi ngjarja. Ndërkohë, pas mesditës së sotme, viktima është përcjellë në banesën e fundit nga familjarët e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë