Drejtësia

Vrau Elton Çiçon në vitin 2016, GJKKO konfiskon pasuritë e Jani Aliajt

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurive të Jani Aliajt, i akuzuar për ekzekutimin e Elton Çiços në vitin 2016.

Bëhet fjalë për 4 dyqane, një ullishte, godina e vila në jug të vendit, që dikur ishin në pronësi të Aliajt dhe që do t'i kalojnë shtetit.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, Aliaj ka pasur konflikte të forta të nisura vite më parë në burgun e Koridhalosë në Greqi me viktimën.

Sipas asaj që thuhet në dosje, gjatë qëndrimit në burg Jani Aliaj ka rrahur për vdekje, një mik të Elton Çiços dhe më pas është konfliktuar me atë vetë.

Pasi përfunduan dënimin dhe u kthyen në Shqipëri, Çiço ka tentuar të marrë hak duke i organizuar dy atentate Jani Aliajt, por pa mundur që ta ekzekutonte.

Megjithatë, në shtator 2016, Jani Aliaj u fut në ambientet e një lokali të njohur në kryeqytet i veshur sportiv me një kapele në kokë, dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Elton Çiços, i cili ndodhej në shoqërinë e oficerit Alban Trimi, mjekut Elton Rraja dhe një personi të tretë.

46 vjeçari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016, në kryeqytet.

Aktualisht vijon të jetë një ndër personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Gjithashtu ndaj Jani Aliajt ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë”, në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Pasuritë e sekuestruara të Jani Aliaj:

Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;

Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;

pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;

Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;

Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë