Rend dhe Ligj

Vrasje, plagosje dhe trafik droge, 3 të ekstraduar nga Italia, Emiratet e Bashkuara dhe Belgjika

Gazeta Si - Tre shtetas shqiptarë janë ekstraduar këtë të mërkurë nga Italia, Emiratet e Bashkuara dhe Belgjika, ku shprehet se “drejtësia vonon, por nuk harron”.

Sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla, gjatë natës është ekstraduar një shqiptar nga Italia, i cili është i dënuar për vrasje para 30 viteve më parë.

54-vjeçari akuzohet për vrasje të trefishtë në vitin 1993 në Torovicë të Lezhës dhe qëndronte ilegalisht në shtetin fqinj që në vitin kur ka ndodhur ngjarja.

Sipas asaj që njofton policia është ekstraduar nga Milano, i dënuari me 25 vite burg, Bardh Lula alias Bardhyl Luli.

Bëhet e ditur se ka qenë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që e ka dënuar 54-vjeçarin me 25 vite burgim, pasi më datë 12.06.1993, në vendin e quajtur “Kroi i Denicës”, Torovicë, ka vrarë 3 shtetas.

Gjithashtu u ekstradua Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç nga Emiratet e Bashkuara, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Një tjetër shqiptar i ekstraduar nga Belgjika është shtetasi A. G., 39 vjeç pasi Gjykata e Fierit, më datë 15.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Sipas asaj që njofton policia nëpërmjet zyrave homologe të Interpolit është bërë e mundur arrestimi i 39-vjeçarit A. G. të cilit Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale kultivimi i bimëve narkotike.

“U kap në Belgjikë, shtetasi A. G., 39 vjeç, pasi Gjykata e Fierit, më datë 15.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Më datë 15.07.2021, gjatë kontrollit në tokën në pronësi të 39-vjeçarit, në zonën Grizë Lenginas, Fier, u gjetën të mbjella bimë narkotike cannabis sativa”, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë