Lajme

Vrasje dhe trafik droge, ekstradohet nga Holanda miku i Shullazit

Një person i dënuar për vrasje, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, është ekstraduar nga Holanda drejt Shqipërisë.

Specialistët e Interpol Tirana, pasditen e së premtes kryen ekstradimin nga Amsterdami drejt vendit tonë të shtetasit Bledar Qemalaj, 39 vjeç, lindur në Fier.

Ky i fundit, mësohet se ka qenë mik i Emiljano Shullazit, ku sipas dosjes penale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë bashkëpunuar si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte heroinë, duke nisur nga Turqia me destinacion Italinë.

Po ashtu, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në mars të vitit 2006, e ka dënuar Qemalajn me 23 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Kjo gjykatë, në nëntor të vitit 2009 e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Gjithashtu Gjykata e Apelit Vlorë në tetor të vitit 2004, ka lënë në fuqi vendimin penal Gjykatës së Fierit, e cila ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”

Bashkëpunimi me Shullazin

Bledar Qemalaj dhe shtetasi Arben Duraj akuzohen si pjesëtarë të një linje heroine që niste nga Turqia me destinacion Italinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në vitin 2006, nisi hetimet për prodhim e trafikim të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar dhe të arrestuar në operacionin “Identikit”.

Mes të dënuarve të këtij operacioni, sipas dosjes penale, ka qenë edhe shtetasi Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, Erges Ymeraj, Erjon Gogaj, Selfo Driza, Lutfi Shabani etj, të cilët kishin trafikuar nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali rreth 55 kg heroinë e 100 kg përzierës.

Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se dosja ndaj të pandehurve Qemalaj dhe Duraj është ndarë nga të dënuarit e operacionit “Identikit”, në shkurt të 2007, në pritje të ardhjes së letër-porosisë me materiale shtesë.

Sipas kësaj dosjeje, mësohet se dy fierakët të fshehur pas emrave fals kanë organizuar trafikimin e një sasie prej 20 kg heroinë, nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali nëpërmjet korrierëve shqiptarë të cilët janë arrestuar në shtetin fqinj.

“Të pandehurit Bledar Qemalaj (Nazim Mema) dhe Arben Duraj (i njohur si Beni), në datat 25\26 gusht 2004 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar në Itali, Gëzim Bala dhe Elvis Spahaj kanë trafikuar 15 kg heroinë.

Droga është nisur nga Shqipëria nga i pandehuri Duraj, i cili e kishte fshehur me kujdes në autoveturën e korrierit Gëzim Bala, që do t’i dorëzohej të pandehurit Qemalaj që priste bashkë me shtetasin Elvis Spahaj, thuhet mes të tjerash në dosjen e prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë