Ngjarje

Vrasja për kanalin e ujit, autori i penduar: Më ofenduan, qëllova në gjaknxehtësi e sipër

Gazeta Si - Gjaknxehtësia e momentit për shkak të konfliktit me fqinjin e tij për hapjen e një kanali uji në Laknas, ka rezultuar fatale për Shefqet Hasën.

Autori i vrasjes, Maliq Marku është shprehur i penduar për krimin e kryer, ku përveç 55-vjeçarit, plagosi edhe Bekim Keçën.

Në dëshminë e tij të parë të dhënë në polici, Marku ka deklaruar se Hasa dhe Keça e kishin ofenduar. 70-vjeçari ka shtuar se në gjaknxehtësi e sipër ka marrë armën dhe ka qëlluar ndaj tyre për vetëmbrojtje.

“Ngjarja ndodhi shumë shpejt, Shefqet Hasa dhe Bekim Keça më ofenduan. Kemi pasur mosmarrëveshje për kanalizimet kërkova që të sqaroja situatën. Në gjaknxehtësi e sipër mora armën dhe qëllova ndaj tyre. Qëllova për vetëmbrojtje, jam penduar për veprimin tim”, - ka thënë ai para oficerëve të policisë në Kamëz.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Laknas një ditë më parë, ku Marku qëlloi 4 plumba mbi Shefqet Hasën, ndërsa 2 ndaj Besnik Keqes.

Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shkak i ngjarjes ishte bërë një kanal për ujërat e zeza. Të tre jetonin në një lagje, ndërsa dyshohet se kanë pasur konflikte edhe më herët.

Disa kohë më parë banorët e rrugës kanë mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza. Asokohe Maliq Marku nuk ka paguar para ngaqë ka qenë jashtë Shqipërisë dhe nuk i është dashur.

Pas kthimit nga Anglia, ai ka dashur të lidhte kanalizimin me banesën e tij dhe për këtë arsye ka shkuar tek ujësjellësi.

Këta të fundit kanë bërë piketimin. Por dy fqinjët i kanë thënë Markut se nuk do ta kryente kanalizimin. Në gjaknxehtësi e sipër 70-vjeçari ka vrarë Hasën dhe plagosur Keçën.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe brenda banesës së tij është gjetur duke i pritur autori i krimit, Maliq Marku.

Ai i ka thënë policisë se i vrau për punë kanali, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme, ndërkohë që vetë shefi i komisariatit të Kamzës, pranoi në një dalje për mediat se Marku ishte në shtëpi në momentin kur shkoi policia.

Ai është vënë në pranga dhe i sekuestrua arma e krimit, të cilën sipas policisë e mbante pa leje. Policia zyrtarisht saktësoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë