Drejtësia

Dinamika e vrasjes në Laknas, autori zbrazi karikatorin ndaj viktimës. Një banor i lagjes i uli armën në tokë

Gazeta Si - Një banor i lagjes ka parandaluar thellimin e ngjarjes në zonën e Laknasit në Kamëz, ku Maliq Marku vrau me një pistoletë tip TT, Shefqet Hasën dhe plagosi një tjetër për konfliktin e hapjes së një kanali uji mes banesave të fqinjëve.

 Sipas dosjes hetimore, një i njohur i Markut është munduar që të qetësojë palët, por ata kanë nisur debatet edhe duke ofenduar njëri-tjetrin. Në këtë moment, Marku ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar 5 herë në drejtim të Shefqet Hasës.

Gjithçka ndodhi pas largimit të dy punonjësve të ujësjellës-kanalizimeve, të cilët kishin shkuar pas ankesës së Markut për zhbllokimin e pusetës. Ndërkohë që sot Gjykata e Tiranës e la në masën "arrest në burg" 70-vjeçarin.

Dinamika

Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Shefqet Hasa dhe u plagos Ismet Keqa, të dy fqinj të Maliq Markut, i cili ekzekutoi me armë zjarri Hasën me plot 5 plumba dhe plagosi rëndë të riun. E gjitha nisi për hapjen e kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjen e tyre.

Sipas prokurorisë, Maliq Marku ka qëlluar ndaj Hasës deri sa ka mbaruar të gjithë fishekët e karikatorit e më pas është futur në banesë për ta mbushur sërish armën.

“Personi nën hetim ka qëlluar derisa sa arma e tij i ka mbetur e hapur, pra deri në mbarimin e gjithë fishekëve që kishte në krehërin e armës së tij. Pasi ka qëlluar gjithë fishekët që kishte në armën e tij personi nën hetim është futur në banesën e tij ku ka rimbushur krehërin e pistoletës së tij me fishekët që kishte në xhep e ka vendosur në pistoletë dhe ka mbushur pistoletën”, bën me dije prokuroria.

Ndërhyrja e banorit

Mësohet po ashtu se ka qenë ndërhyrja e një banori tjetër të lagjes ajo që ka parandaluar thellimin e ngjarjes. Pasi Maliq Marku qëlloi ndaj Ismet Keqës 3 ose 4 herë, shtetasi me inicialet I.K., ka bërë të mundur t’i devijojë pistoletën duke ia ulur me drejtim nga toka.

“Pas këtyre te shtënave personi nën hetim përsëri ia ka drejtuar pistoletën Ismetit, por shtetasi I.K., në këto momente i ka kapur të dyja duart bashkë me pistoletën Maliqit, duke ia ulur poshtë me drejtim për nga toka, ku në këtë moment Maliqi ka qëlluar dhe një herë të vetme në drejtim të tokës”, thuhet më tej në dosje.

Gjykata e Tiranës e lë në burg

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Maliq Markun, i cili tre ditë më parë vrau në Laknas fqinjin e tij, Shefqet Hasa dhe plagosi një tjetër pas një sherri për kanalin e ujërave të zeza.

Por gjatë seancës, Marku, me origjinë nga fshati Reç i Dibrës, dyshohet se ka krijuar një alibi për krimin e kryer, duke deklaruar se “ka nje komplot serbo-malazez ndaj meje....".

Në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja pistolete, ndërsa nga kontrolli i banesës së Markut janë sekuestruar 1 shkop gome, 3 fishekë të armëve të gjakut dhe një tub metalik.

Maliq Marku, sipas Prokurorisë, ka konsumuar dy vepra të rënda penale, atë të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “armëmbajtjes pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë