Ka ndodhur

Vrasje me armë zjarri në Laknas të Tiranës, 70-vjeçari ekzekuton fqinjin pas sherrit për kanalin e ujit

Gazeta Si - Një vrasje me armë zjarri, që dyshohet për një konflikt për pronën, ka ndodhur në Laknas të Tiranës pranë Kamzës këtë të enjte, ku një 55-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur.

Konflikti mes fqinjëve ka ndodhur për një kanal uji, ku do të vendosej një tabelë dhe secili pretendonte që tabela mos të kapte tokën e tij.

Sipas Policisë së Tiranës, autori i dyshuar është 70-vjeçari Maliq Marku, i cili është arrestuar nga efektivët. Mësohet se i moshuari ka qëlluar me armë dhe ka vrarë fqinjin 55-vjeçar Shefqet Hasa. Gjatë sherrit, autori ka plagosur 50-vjeçarin Besim Keqa.

Policia bën të ditur se autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit.

Shefi i Komisariatit nr. 5, Oliger Torba, dha të tjera detaje në lidhje me vrasjen që ndodhi në Kamëz.

Ai u shpreh se autori, Maliq Marku, 70 vjeç u arrestua në banesën e tij fill pas ngjarjes, ku rezulton se arma që ai ka përdorur, një pistoletë tip TT, është pa leje dhe është sekuestruar.

Shkak i ngjarjes sipas shefit të policisë, ka qenë një konflikt i çastit për hapjen e një kanalizimi të ujërave të zeza.

"Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza, që po verifikohet nga ana jonë. Janë në një lagje. Konflikti ka qenë i çastit, pasi nga ana e kanalizim ujësjellësit kanë marrë piketimin dhe kanë kryer veprimet administrative", - tha Torba.

Shefqet Hasa i cili ndërroi jetë ka marrë katër plumba, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri.

Në momentin e të shtënave, në afërsi të lagjes ka qenë polici i zonës, i cili pasi ka dëgjuar krismat është afruar dhe ka gjetur personin e plagosur duke vrapuar, të cilin e ka marrë me makinë.

Më tutje ka gjetur të vdekur Shefqet Hasën. Pas krimit, autori Maliq Marku ka hyrë në banesë dhe kur kanë shkuar efektivët për ta arrestuar fillimisht ka bërë rezistencë për t'u dorëzuar, por pas negociatave ka hedhur armën në bahçe dhe më pas i kanë vënë prangat. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë