Drejtësia

Vrasja për gjakmarrje/ Nxori në pritë shokun e fëmijërisë, kërkohen 30 vite burg për Mikel Alian

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 30 vjet burg për Mikel Alian, personin që akuzohet se nxori në pritë Eri Zefin në tetor të vitit 2019, ku më pas u gjet i vrarë.

42-vjeçari është i vetmi person i pandehur, ndërsa dyshohet se ka bashkëpunuar me familjen me të cilën kishte hasmëri Zefi.

Alia u zbulua nga tabulatet telefonike, pasi kishte komunikuar me viktimën mbrëmjen e 1 tetorit pak orë para se 34-vjecari të gjendej i vdekur në një kanal në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.

Në shkurt të vitit 2019, vëllai i Eri Zefit, Ndue Zefi, vrau në Durrës fqinjin e tij Martin Ndreca pas një konflikti të çastit. Që prej asaj kohe, 34-vjeçari qëndronte i ngujuar në shtëpi, pasi i druhej gjakmarrjes.

Pjesëtarë të familjes Ndreca, besohet se kanë bashkëpunuar me Mikel Alian, shokun e fëmijërisë së Eri Zefit. Ky i fundit i besoi 42-vjeçarit duke dalë nga banesa.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga ekzekutimi i Eri Zefit, policia nuk ka mundur të identifikojë porositësin e vrasjes, ndërsa as i pandehuri nuk ka treguar para hetuesve se kë ka ndihmuar.

Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e preken në kokë, ndërsa 2 të tjerët në gjoks.

Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës të 1 tetorit të vitit 2019, pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës në një kanal 50 metra larg Rrugës së Kombit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë