Ka ndodhur

Dënohet me 21 vite burg Mikel Alia, nxori në pritë shokun e fëmijërisë

Gjykata e Lezhës ka dënuar me 21 vite e 4 muaj burg, 42-vjeçarin Mikel (Gjovalin) Alia, ndaj të cilit u ngrit akuza e vrasjes, pasi me 2 tetor të vitit 2019 nxori në pritë shokun e tij të fëmijërisë Eri Zefi, i cili u ekzekutua.

42-vjeçari u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Trupa gjykuese dha dënimin maksimal për Mikel Gjovalin Alian me 32-vite burg, dy vite më shumë se ç’kishte kërkuar prokuroria, por duke qenë se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, iu ul 1\3 e dënimit.

Alia rezultoi i përfshirë në vrasje referuar përgjimeve telefonike mes tij dhe viktimës.

Prokuroria e Lezhës në atë kohë, dërgoi dy letërporosi në drejtim të autoriteteve policore të Kosovës, ku u kërkuan të dhëna për hyrje-daljet e dy personave që dyshohen si autorë të ekzekutimit të 34-vjeçarit Eri Zefi dhe më pas nëpërmjet Kosovës janë larguar drejt Gjermanisë.

Sipas hetuesve, ata janë dy të afërm të familjes Ndreca, familje me të cilën kishte hasmëri familja Zefi. Eri Zefi u gjet i vdekur në Zall Xhuxhë të Mirditës, ndërsa më parë ishte dhunuar dhe më pas ai ishte zhvendosur disa metra larg nga Rruga e Kombit ku është qëlluar për vdekje me 6 plumba.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë