Drejtësia

Vrasja pas konflikteve për pronën, babë e bir iu shtohen edhe disa vite burg

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Gjirokastër, ka shpallur fajtorë Et’hem dhe Dino Muhon për vrasjen e Alket Muhos në 6 shtator të vitit 2018, në fshatin Rabije në Memaliaj pas konflikteve për pronën.

Babë e bir, të cilët ishin në arrest shtëpie për shkak të shkeljes së afateve të ankimimit, u janë shtuar edhe disa vite burg secilit.

Seanca e sotme gjyqësore ka nsiur me tensione, pasi familjarët e dy të akuzuarve kanë kërkuar rënien e akuzave për vrasje.

Prokurori i çështjes, Julijan Çafka, kishte apeluar vendimin e datës 26 tetor të vitit 2021, të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër.

Ky vendim i dhënë nuk përcaktonte armën e vrasjes, ndërsa dënonte me 20 vite burg Et’hem Muhon dhe me 17 vite burg Dino Muhon.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Sokol Pina, me gjyqtaren tjetër ndihmëse Margarita Buhali, mbi bazën e ankimit, ndryshoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit në Gjirokastër dhe vendosi për masën e dënimit.

Po ashtu, Dino Muho u deklarua fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa në shkallën e parë zotërimi i armës nuk doli në vendim.

Në bashkim të dënimeve, Dino Muho, nga 17 vite që ishte dënuar nga Gjykata e Faktit, dënohet me 19 vjet burg, duke iu shtuar dy vite.

Ndërsa i ati i tij, Et’hem Muho, nga 19 vite që i dha Gjykata e Faktit, u dënua me 22 vite burg, duke iu shtuar 3 vite.

Gjatë kësaj periudhe, dy të dënuarit qëndronin në arrest shtëpie për shkak të shkeljes së afateve të ankimimit të vendimit për masën e arrestit

Ky vendim u ekzekutua në sallën e gjyqit menjëherë duke thirrur policinë, e cila u vendosi prangat dy të dënuarve për vrasje me paramendim.

Autorët dhe viktima kishin pasur konflikte të përsëritura për pronësinë. Të afërmit kanë deklaruar më parë se grindjet ishin të shpeshta dhe shkak ishte bërë një rrugë e fshatit Rabie dhe një çezmë që përdorej prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë