Ka ndodhur

Dyshohet se vranë fqinjin për motive pronësie, dënohen me 37 vjet burg babë e bir

Babë e bir, E’them dhe Dino Muho, janë dënuar me 37 vjet burg në total, pasi akuzohen për vrasjen e Alket Muhos më 6 shtator të vitit 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj, për një konflikt që dyshohet për motive pronësie.

Mirëpo mbrojtja pretendon se E’tem dhe Dino Muho nuk kanë lidhje me vrasjen, pasi nuk kanë qenë në fshat para thuaje 3 vjetësh kur u gjet i pajetë 43-vjeçari.  

Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, ka dënuar konkretisht Et’hem Muhon me 20 vite burg, ndërsa i biri, Dino Muho me 17 vite burg.

Vendimi është dhënë pas një maratone 3-vjeçare për gjykimin e autorëve të kësaj ngjarje. Për të shmangur një përplasje mes familjarëve të të dyja palëve, policia ka vendosur masa të rrepta sigurie në momentin e dhënies së vendimit në gjykatë.

Në pretencën e tij, prokurori i çështjes kishte kërkuar nga 23 vite burg për secilin, me akuzën e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vite për armëmbajtje pa leje dhe nga 1 vit burg për prodhim pa leje të armë sportive, (në total 30 vite burg për secilin).

Por me aplikimin e nenit 55/1 të Kodit Penal për caktimin e një dënimi të vetëm Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi nga 27 vite burgim për Et’hem dhe Dino Muhajn.

Prindërit e Alket Muhos nuk e kanë pranuar vendimin, duke aluduar se gjyqtarja kishte zbutur dënimin e vrasëse. Ata kërkuan që çështja të shkonte në SPAK dhe gjyqtarja që dha vendimin të hetohej nga strukturat e posaçme.

43-vjeçari Alket Muho, dyshohet se u vra nga ish-fqinjët e tij. Autorët dhe viktima kishin pasur konflikte të përsëritura për pronësinë.

Të afërmit kanë deklaruar më parë se grindjet ishin të shpeshta dhe shkak ishte bërë një rrugë e fshatit Rabie dhe një çezmë që përdorej prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë