Dosje

Vrasja në Durrës / Bie alibia e fejesës së Hygerta Metës nga familja që do lidhte krushqinë: Babai i saj refuzoi

Gazeta Si - Familja e djalit që Hygerta Meta pretendonte se nxitej nga i ati i saj për t’u fejuar, ka hedhur poshtë alibinë se vrasja e Pëllumb Metës nga fëmijët e tij ka ndodhur pikërisht për këtë konflikt.

Ata kanë rrëfyer para policisë se e dëshironin një krushqi të tillë, por Pëllumb Meta ia kishte bërë të qartë se vajza do vazhdonte shkollën dhe s’kishte plane për t’u fejuar.

Në dosje thuhet se, “në interes të hetimeve u janë marrë deklarime dhe shtetasve O Q. , R. Q. E. Q. ku shtetësja E.Q., ka deklaruar se ka pasur dëshirë që të lidhte krushqi me familjen e viktimës por që ky i fundit nuk ka pranuar pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar”.

Xheni, vajza e cila u bë shkas për të kërkuar dorën e Hygertës për vëllain e burrit të saj, tregon se babai i Hygertës ishte një njeri i dashur dhe se nuk donte ta fejonte vajzën e tij, për shkak se po donte të vazhdonte universitetin.

Madje ajo pretendon se i  ndjeri Pëllumb Meta i ka thënë: “Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan”.

“Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e gjuhëve të huaja. Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë a diçka më shumë, i thashë për të fejuar vajzën me kunatin tim që jeton në Itali. Më tha që vajza kishte filluar shkollën për gjuhët e huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Megjithatë nuk ma preu shkurt, po më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan.’ Shkova dhe më priti shumë mirë, por dhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, shprehet Enxheni, sipas dosjes së zbardhur nga Top Channel.

Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, 50-vjeçari, Pëllumb Meta u konfliktua me djalin e tij, Hysenin përpara se ai ta vriste.

Ky detaj ka dalë gjatë deklarimeve të vajzës së viktimës, 19-vjeçares, Hygerta Meta, por që është pranuar dhe nga vetë autori, i cili ndër të tjera shton se debatet dhe konfliktet me të atin ishin të shumta.

Në dosje del dhe mënyra se si fëmijët mes të cilëve dhe djali i vogël, Amarildo tentuan të fshehin ngjarjen.

“Pasi e vrau Hyseni ka dalë nga banesa duke e lënë kufomën aty. E kam mbështjellë kufomën me plastmas të zi dhe e kam lënë në divan. Në mbrëmje dy vëllezërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, si dhe me armën dhe gëzhojat. Të nesërmen kam parë që tek kasollja ishte lëvizur dheu dhe kam mësuar se aty ishte varrosur kufoma. Vendit përsipër i kam hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia. Kemi biseduar me njëri-tjetrin që nëse do të zbuloheshin nga policia unë do merrja autorësinë e ngjarjes. Pas kësaj mami ka pastruar dhomën si dhe divanin ku ishte shtrirë babai, dhe divanin e kemi ngjitur në katin e dytë”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Tre fëmijët e 50-vjeçarit pritet të njihen të hënën (nesër, 26 shkurt) me masën e sigurisë nga Gjykata e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë