Ngjarje

Vranë dhe groposën të atin / Asnjë nga fëmijët s’përfshin nënën. Dëshmia e djalit: Babai na e solli në majë të hundës, motra e vëllai më ndihmuan

Nga Gazeta Si- Janë zbuluar detaje të reja lidhur me krimin makabër të ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit ku 3 fëmijët, 25, 21 dhe vajza 19 vjeçe kanë marrë pjesë në vrasjen dhe më pas groposjen e babait të tyre, Pëllumb Meta në kasollen e bagëtive.

Kamerat e sigurisë kanë zbuluar lëvizjen e makinës së viktimës një ditë pas denoncimit, pikërisht më 14 shkurt që ka nxitur policinë të krijojnë dyshimet se nuk kishin të bënin me një rast zhdukjeje të zakonshme. Aq më tepër nga informacionet që kishin marrë, 49 vjeçari nuk ishte person që humbte kontaktet me familjen.

Ndërkohë është bërë dhe gjurmimi i tabulateve telefonike dhe ka rezultuar se telefoni i viktimës ka qenë ende në ambientet e shtëpisë. Verifikimi i telefonit është bërë më 22 shkurt, pra pasi personi ishte deklaruar i zhdukur.

Viktima është vrarë më 10 shkurt 2024 rreth orës 15:00, ndërsa 3 ditë më pas vetë ekzekutori, Hysen Meta ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij.

Pasi e kanë ekzekutuar Hyseni dhe Hygerta janë përpjekur të fshehin gjurmët. Për këtë kanë kërkuar ndihmën e vëllait të vogël, Amarildo i cili ka ndihmuar dhe të hapë gropën ku kanë varrosur të atin.

Fillimisht krimi u mor përsipër nga vajza 19 vjeçare duke thënë se babai kërkonte ta fejonte pa dëshirën e saj me një emigrant në Itali, por dje pasdite pas disa orëve marrjes në pyetje Hysen Meta ka pranuar se ishte ai ekzekutori dhe secili prej fëmijëve ka shpjeguar rolin e tij dhe çfarë ka ndodhur.

Njësoj si 19-vjeçarja, edhe vëllezërit kanë dëshmuar se shkak kanë qenë konfliktet e vazhdueshme në shtëpi që arritën kulmin me fejesën pa dëshirë të motrës së tyre. Pikërisht për shkak të konflikteve, dy fëmijët, Hygerta dhe Hyseni kanë planifikuar vrasjen e babait.

"Shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kanë deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë konfliktet e vazhdueshme familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj" tha dje drejtori i policisë së Durrësit Skënder Hitaj.

Në deklaratën djalit të madh, të zbardhur nga policia thuhet se debatet me të ishin bërë të padurueshme.

“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj.

Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.

Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova me pistoletë.

Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Fajin e mori motra sepse ajo ishte baza e debatit dhe donte të na shpëtonte ne”, ka deklaruar Hyseni.

Nga ana tjetër, ajo që është vënë re nga deklaratat në polici është se asnjë nga fëmijët nuk e ka përmendur mamanë e tyre, ndërkohë që kjo e fundit është lënë në hetim në gjendje të lirë pasi sipas policisë, është e pamundur që  plani i vrasjes së Pëllumb Metës të jetë bërë pa dijeninë e saj.

“Nuk ishte aty! S’ka qenë fare e nuk ka ditë asgjë’ mësohet të kenë thënë ata për grupin hetimor.

Ndërkohë sot familja e vëllait të Pëllumb Metës ka hapur dyert e mortit për ti dhënë lamtumirën nga banesa e tij 49-vjeçarit që u vra nga fëmijët. Dy vëllezërit kishin banesat afër në Shënavlash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë