Lajme

Vrasja në Bularat, Ministria e Jashtme greke thërret ambasadoren shqiptare

Vrasja në Bularat ka shkaktuar reagime të shumta. Ministria e Jashtme greke do të vazhdojë të protestojë pas vrasjes së minoritarit grek ditën e djeshme në Bularat, Konstantinos Katsifas, pasi ky i fundit shkëmbeu zjarr me policinë shqiptare.

Mediat greke shkruajnë se ditën e sotme ambasadorja shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdari, është thirrur në Ministrinë e Jashtme greke lidhur me ngjarjen në fjalë. 

Mësohet se ambasadores tonë në vendin fqinj do t’i dorëzohet një notë proteste në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit grek në Bularat të Gjirokastrës.

Po ashtu sot në shtëpinë e prindërve ku ka pllakosur zia, ka shkuar edhe konsulli grek Vasileos Tolos, pasi ata janë pjesë e minoritetit grek.

Kujtojmë se ngjarja nisi paraditen e së dielës, pasi Kaçifas gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë qëlloi me armë në ajër dhe pasi pa që po afrohej patrulla e policisë, hapi zjarr dhe ndaj makinës së policisë. Kaq mjaftoi që më pas situata të agravonte, ndërsa në aksionin për kapjen e tij mori pjesë FNSH, si dhe forcat speciale RENEA, ku kjo e fundit iu kundërpërgjigj 35-vjeçarit me armë, pasi ai qëllonte pa pushim. Njëri nga plumbat e policisë, preku në gjoks minoritarin, duke i shkaktuar atij vdekjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë