Lajme

Martinaj edhe me pasaportë kosovare

Prokuroria ka kërkuar në gjykatë “arrest me burg pa afat” për biznesmenin Ervis Martinaj pas provave të reja të gjetura lidhur me ngjarjen e 4 tetorit në ish-Bllok.

Kjo kërkesë bazohet në dyshimet se Martinaj ka qëlluar me armë në vendin ku u vra Fabion Gaxhaj dhe u plagos Eljon Hato dhe vetë ai.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se ekspertimi i kryer më 6 tetor ka gjetur faktorë plotësues të qitjes me armë në duart e Ervis Martinajt. Po kështu prokuroria thotë se nga ekspertimi që i është bërë telefonit të Martinajt në Izrael janë zbardhur dhe bisedat e kryera prej tij natën e ngjarjes ku u kërkon personave të rrethit të tij shoqëror të marrin armët e të shkojnë tek lokali i Redi Popeskut në zonën e Bllokut, pasi kishte një konflikt.

Kërkesa e Martinajt që njerëzit e tij të shkonin me armë tek vendi ku ndodhi ngjarja kishte ndodhur pas një takimi që ai kishte lënë me Ervin Matën. Nga ekspertimi i telefonit është zbuluar se natën e ngjarjes ora 21:17 minuta Martinaj ka komunikuar në ëhatsapp me personin e regjistruar me emrin Boli ku ka lënë vendin e takimit.

Sipas prokurorisë takimi i Martinajt me Matën nuk ka qenë rastësor. 

Ndërkohë, Prokuroria ka zgjatur hetimet edhe për akuzën e pastrimit të parave.

Në dosjen hetimore rezulton se ndaj 36-vjecarit, dy muaj para ngjarjes në Bllok, konkretisht më 14 gusht, Prokuroria ka proceduar me regjistrimin e procedimit penal Nr. 6980, pas dyshimeve se pasuria e tij është e pajustifikuar me të ardhura të ligjshme.

“Nga aktet e procedimit penal deri në këtë moment procedurial rezulton se shtetasi Ervis Martinaj prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri në vlera të konsiderueshme. Mënyra e shlyerjes është CASH, burimi i të ardhurave është i papërcaktuar dhe nuk mund të justifikohet me burimet e ligjshme që ka ky shtetas”, thuhet në dosjen hetimore.

Në përfundim të analizës së kryer në sistemin tatimor, Prokuroria ka dalë në përfundimin se të ardhurat totale të përfituara nga bizneset prej vitit 2012 dhe në vijim nga ky shtetas janë në vlerën 2.382.900 lekë që u përkasin të ardhurave vetëm nga pagat, pasi shoqëritë janë me rezultate negative dhe për këtë arsye nuk kanë shpërndarë asnjëherë dividend për ortakun e shoqërisë.

Bazuar në kontratat noteriale, në dosjen hetimore të prokurorisë rezulton se 36-vjeçari prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri sipas kontratave të raportuara në vlerën 85.000 Euro, nga të cilat 50.000 Euro janë financuar me qira financiare dhe 25.116.909 lekë. Mënyra e shlyerjes është CASH dhe burimi i të ardhurave është i papërcaktuar dhe nuk mund të justifikohet me burimet e ligjshme që ka ky shtetas, të cilat janë analizuar nga ana juaj.

“Ky shtetas ka kyer edhe disa shitje automjetesh dhe kuotash të shoqërive, të cilat janë në një vlerë totale të përafërt 50.000 Euro dhe 14.600.000 lekë. Të gjitha këto shuma janë të shlyera jashtë zyrës noteriale dhe në CASH, duke e shmangur sistemin bankar. Pjesë e hetimit të prokurorisë janë edhe të dhënat bankare të Martinajt, rezulton se ka transaksione bankare në vlera të konsiderueshme, të cilat nuk kanë asnjë justifikim për burimin. Një pjesë e këtyre të ardhurave është tërhequr në CASH nga ana e 36-vjecarit dhe nuk dihet qëllimi për të cilat janë përdorur këto tërheqje”, thuhet në dosje.

Po ashtu në dosjen hetimore thuhet se nga veprimet e kryera deri në këtë moment procedurial ka dyshime të bazuara në akte se Ervis Martinaj është i pajisur me një tjetër pasaportë si shtetas kosovar me emrin Admir Koca, të cilën e ka përdorur edhe për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë, dokumentuar me printim nga sistemi TIMS. 
Prokuroria kërkon arrestin me burg pa afat pasi ekziston rreziku i largimit jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë