Lajme

Vrasja në Bllok, 45 ditë burg për Geldo Hotin

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “Arrest me burg” me afat 45-ditor për Geldo Hotin, personin e arrestuar në tentativë për t’u arratisur në Greqi, pas ngjarjes që ndodhi në ish-Bllok ku një person u vra dhe dy të tjerë u  plagosën.

Mbi të rëndon akuza “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Hoti është i përfshirë në konfliktin e ndodhur në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” në mbrëmjen e datës 05.09.2018, ku mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha dhe u plagosën shtetasit Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Hoti sipas policisë dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri gjatë konfliktit dhe ndaj tij rëndojnë të njëjtat akuza si ndaj Ervin Matës, Meviol Bilos dhe Fabio Allushit, të cilët janë ende në kërkim.

Sipas policisë, Geldo Hoti, miku i Merviol Bilos, tentoi të arratisej drejt Greqisë, ku dhe u kap mbrëmjen e 5 tetorit në Kakavijë.

Policia ndërkohë ka arrestuar në spital dy personat që mbetën të plagosur në konfliktin në Bllok. Dyshohet se një nga tre personat që u qëllua me armë ka ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata, çka ka sjellë dhe ndezjen e debatit mes 6 personave. Në përplasjen me armë u përfshi dhe një efektiv i Forcave Komando, Merviol Bilo, pjesëmarrës në disa misione paqeruajtëse në Afganistan.     


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë