Drejtësia

Vrasja e Vajdin Lames/ SPAK merr sërish në pyetje maqedonasin që montoi minën

Gazeta Si - Joshko Çervenkovski, për të cilin bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi ka deklaruar se ka qenë montues i minës që i mori jetën biznesmenit Vajdin Lame e Artan Arsit në vitin 2005, rikthehet sërish në SPAK për t’u marrë në pyetje.

Një ditë më parë ai u paraqit në seancën ndaj Emijano Shullazit, Viktor Ymerit e të tjerëve, teksa ishte ndaluar në Rinas më herët.

Maqedonasi kërkohej nga Prokuroria Posaçme si dhe nga avokatët e të pandehurve të pyetej në cilësinë e dëshmitarit, madje i ishin dërguar edhe letërporosi, por ai nuk ishte paraqitur.

LEXO EDHE:
- Dëshmia ekskluzive: Emiljano Shullazi mori tritolin e vrasjes së Vajdin Lamajt nga Lul Berisha
- Vrasjet e 2005 / Luftar Reçi refuzon të dëshmojë: 'Një qengj s'mund të flasë para ujqërve'. GJKKO nuk pranon

Të martën ai nuk u lejua të dëshmonte pasi avokatët e të pandehurve pretenduan se e kanë kërkuar të pyetet me letër-porosi, duke i cilësuar të dyshimta rrethanat në të cilat u paraqit në gjykatë.

Pas vendimit për shtyrjen e seancës, Çervenkovski ngjiti shkallët e SPAK për t’u pyetur të martën, teksa ai u rikthye sërish këtë të mërkurë në prokurori.

SPAK nuk ka dhënë detaje mbi rrethanat dhe cilësinë në të cilën e ka pyetur, teksa maqedonasi u largua me një automjet me targa të vendit të tij.

Shtetasi maqedonas është sjellë në gjykatë i shoqëruar nga forcat e policisë së Tiranës, por pa u qartësuar nëse ai kishte ardhur në cilësinë e dëshmitarit apo personit të arrestuar.

Ai që zbuloi aktivitetin e dyshuar kriminal të Joshko Çervenkovskit, është i penduari i SPAK, Luftar Reçi, i cili në dëshminë e tij ka treguar se maqedonasi është personi që përgatiti bombën e vendosur më pas në ashensor ndaj Vajdin Lamajt në vitin 2005.

Montimi i bombës sipas Reçit është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës, ku më pas Indrit Taullai ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit.

Në këtë proces gjyqësor janë marrë të pandehur Viktor Bajraktari (Imeraj),  Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë