Ngjarje

Vrasja e të riut, në lokal zbulohet një makineri që prodhon monedha Bitcoin

Një makineri që prodhon monedha digjitale, Bitcoin, është gjetur dhe sekuestruar nga policia në lokalin ku mbeti i vrarë të hënën në mbrëmje Mehmet Qema.

Agjentët e policisë, janë kthyer të martën në vendin e krimit së bashku me autorin e dyshuar, Marius Dema për të ndërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Gjatë kontrollit në brendësi të lokalit, në katin e dytë të tij, i cili ndodhet në  zonën e “5 Majit”, ata kanë zbuluar makinerinë në fjalë. Për këtë arsye, në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivë të Krimit Ekonomik.

Në objekt janë kryer kontrolle dhe nga punonjës të OSHEE-së, pasi mund të ketë pasur lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për të mbajtur në punë pajisjet që prodhojnë monedha digjitale.

Policia ka bërë kontrolle të imtësishme edhe për sende të tjera të paligjshme, përfshirë lëndë narkotike. Ngjarja e rëndë ndodhi një natë më parë, ku Mehmet Qema nga Hasi, 27 vjeç, është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga shoku i tij, Marius Dema.

Ky i fundit është vetëdorëzuar në polici mëngjesin e të martës, së bashku me shtetasin Frenkli Myftari, i cili ka qenë po ashtu i pranishëm në momentin e krimit dhe akuzohet për fshehje dhe moskallëzim të tij. Dorëzimi i dy të rinjve është bërë pas negociatave të shumta që kanë bërë me ta edhe familjarët e avokatët.

Nga ana tjetër, mbetet ende mister shkaku i vrasjes, pasi autori dhe viktima kishin miqësi prej disa vitesh së bashku dhe kanë qenë një lokal me miq të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë