Editorial

Vrasja e Klodit, krim i katërfishtë

Me vrasjen e Klodian Rashës nga policia në mbrëmjen e së martës, gjatë orëve policore zuri fill një krim i katërfishtë.

Sot pas dy ditësh kemi jo një, por katër të vdekur, tre prej tyre “të vdekur të gjallë”. I pari sigurisht ishte Klodian Rasha. Familja e tij e di më shumë se kushdo nga ne, se çfarë dhimbje dhe humbje e madhe është.

Ai u qëllua nga një polic i “Shqiponjave”, i cili po hetohet. Deri tani dihet vetëm një deklaratë e   Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, që thotë se “efektivi i policisë që qëlloi dhe vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha, ka shkelur ligjin duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”.

Humbja e Klodian Rashës bëhet edhe më tragjike sepse përtej familjes prodhoi më pas një zinxhir viktimash.

Sigurisht, i dyti në radhë është polici që qëlloi. Dinamika e ngjarjes të cilën gazeta “Si” pati mundësi të mësojë dhe do ta publikojë, tregon paaftësi  foshnjore të një efektivi që në atë pozicion dhe detyrë  që ka duhet të ishte i mirëpërgatitur me disa aftësi qoftë edhe humane dhe psikologjike për të trajtuar me shumë kujdes dhe absolutisht pa viktima situata të tilla.

Tani ai është një viktimë e paaftësisë së tij që nuk falet dhe ndodhet i vetëm përballë ligjit. Familja e re e këtij polici të ri do të vuajë bashkë me të pasojat e rënda psikologjike.

Megjithëse paaftësia profesionale, apo edhe injoranca, quajeni si të dëshironi, nuk e justifikon krimin, efektivin e “Shqiponjave” e vrau një sistem emërimesh, trajnimesh, rregullash, detyrash, përgatitjesh, që nuk mjafton apo do të çedojë edhe kur të tjerë si ai do të ndodhen në situata të tilla. Ka plot dëshmi pas kësaj ngjarjeje, por fatmirësisht pa viktima. E kemi ngritur këtë çështje edhe më parë kur një prej efektivëve të Shqiponjave, vajza e re Ina Nuku humbi gishtat, pasi shpërtheu pranë saj një bombë molotov gjatë protestave të dhunshme të opozitës në nëntor të 2018-ës. Ajo, si thanë shumë ekspertë të policisë, nuk duhet të ishte aty as me vullnetin e saj dhe as më urdhrin e eprorëve, sepse nuk ishte në detyrat dhe formimin e saj profesional.

Viktima e tretë është besimi. Me vrasjen e Klodian Rashës u qëllua rëndë edhe një dimension i besimit të  publikut tek institucionet e veçanërisht besimi te rendi dhe siguria. Qytetarët kanë të drejtë kur thonë se edhe pse kishte kaluar orarin e kufizimit të lëvizjes, edhe pse nuk ju bind policisë, ai nuk e meritonte vdekjen assesi në çdo rrethanë. Por kur kriminelë sherrosen, shpërthejnë armët në mes të Tiranës, por kur nuk i ndalojnë policisë, por madje e kërcënojnë atë, por kur mbrohen nga politika asnjë  prej tyre nuk është qëlluar. Siç u trondit tragjikisht ky besim i publikut, u godit edhe besimi i policit nën hetim dhe të tjerë kolegëve të tij që sot shikojnë me dyshim, a na krijon sistemi mundësi të minimizojmë gabimet. A janë ata të ekspozuar ndaj standardeve dyfishe në raport me shkelësit e ligjit?!

Viktima e katërt që u rivra është kauza e protestës dhe qëllimi i saj. Qytetarët nuk kanë nevojë të presin hetim, ata kanë ndjesinë e padrejtësisë që ata të revoltohen dhe madje edhe të qëllojnë me gurë sa herë perceptojnë se të drejtat e tyre themeltare e veçanërisht ajo e jetës kërcënohen. Por askush nuk ka të drejtë t’iu rrëmbejë qëllimin. Plot syresh panë se si rrëmbehet qëllimi nga njerëz që kërkojnë drejtësi dhe ligj, por që në jetët e tyre të zakonshme as nuk e njohin dhe as e zbatojnë ligjin. Ndaj kauzat dhe  protestat në këtë vend kanë kohë që mbeten shkëndijë e parë e revoltës së qytetarëve, por që shuhen shpejt.

Klodin e vranë këtë javë, por policin, besimin, qëllimin dhe e kauzën e kanë rivrarë edhe më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë