Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka pritur në një takim ditën e sotme një delegacion të policisë greke.
Gjatë takimit përfaqësuesit e dy policive shkëmbyen informacion mbi operacionin ku mbeti i vrarë minoritari Kostandinos Kacifas në një shkëmbim zjarri me forcat speciale RENEA në Bularat.
Por policia, nuk jep detaje më shumë mbi çfarë u diskutua, teksa thuhet, se gjatë takimit u diskutua edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy policive në të ardhmen.
35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.
Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.
Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare.
Vrasja e 35-vjeçarit ka ndezur polemika të shumta, deri në replika mes politikanëve të të dyja shteteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.