Ngjarje

Vrasja e dyfishtë në Vlorë e planifikuar prej dy muajsh, dhjetëra të shoqëruar

Gazeta Si - Kur kanë kaluar 24 orë nga vrasja e dyfishtë në Vlorë, policia nuk ka ende asnjë gjurmë që mund t’i çojë te autorët e dyshuar.

Pas ngjarjes, mësohet se rreth 15 persona janë shoqëruar në komisariat në cilësinë e personave të dyshuar dhe që mund të ndihmojnë hetuesit për zbardhjen e vrasjes së Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos.

Ndërkohë po ashtu kontrolle nga policia janë kryer gjate gjithë ditës së djeshme edhe në mbrëmje në banesa të ndryshme.

LEXO EDHE:
- Identifikohen 2 viktimat / Atentati në Vlorë, hakmarrje për vrasjen e Arben Beqirajt 3 vite më parë
- Ngjashmëria ekstreme e atentatit në Vlorë me atë të Fushë-Krujës, ndryshimi i vetëm është numri i viktimave

Sipas burimeve paraprake, dy vlonjatët u ekzekutuan brenda 2 minutash, nga plumbat e tre kallashnikovëve, që u përqendruan tek xhamat anësorë nga krahu i shoferit dhe xhami ballor i makinës.

Sipas burimeve të policisë, autorët kanë ndjekur lëvizjes e viktimave prej ditësh, ndërsa vrasja dyshohet se ishte planifikuar rreth dy muaj më parë.

Mjeti “BMW” që u shkrumbua dje pak minuta pas atentatit në Frakull të Fierit, rezulton i vjedhur më 30 qershor të këtij viti në Shijak të Durrësit.

Policia dyshon se autorët janë vrasës me pagesë, të cilët dogjën mjetin pas krimit. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti rreth 20 gëzhoja kallashnikovi.

Tre armët automatike të cilat u gjendën brenda mjetit të shkrumbuar në Fier  me të cilat u vranë dy personat tashmë janë dërguar në laborator.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:50 në dalje të fshati Panaja.

Nga një makinë “BMW” pa targa, u qëllua nga së paku 3 persona drejt mjetit ‘Benz’ në të cilin po udhëtonin 34-vjeçari Hakim Xhezo dhe 37-vjeçari Shpati Lena, i cili mbante dhe identitetin Geno Lena.

Pas ngjarjes autorët ende të pa identifikuar u larguan në aksin Levan Tepelenë dhe në afërsi të fshatit Çerven dogjën mjetin “BMW” në brendësi të të cilit braktisën 3 kallashnikovë.

Në mjet policia gjeti rroba dhe ushqime, ndërsa dyshohet se do t’ia çonin Eduard Xhezos në burgun e Lushnjës, i dënuar me 15 vite për vrasjen e Arben Beqirajt.

Hakmarrja dyshohet se fshihet pas kësaj ngjarje të rëndë pasi viktimat rezultojnë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj gushtin e vitit 2019.

Një tjetër pistë hetimi është edhe aktiviteti i Shpati Lenës që prej vitesh ishte skeduar nga policia për aktivitet në fushën e narkotikëve.

Policia ka dyshime se Shpati Lena prej kohësh i druhej një atentati teksa në qytet lëvizte shpesh me makinë të blinduar dhe me armë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë