Rend dhe Ligj

Identifikohen 2 viktimat / Atentati në Vlorë, hakmarrje për vrasjen e Arben Beqirajt 3 vite më parë

Gazeta Si - Një atentat mafioz, ku si pistë kryesore dyshohet një hakmarrje e tre viteve më parë, i mori jetën Hakim Xhezos (34 vjeç) dhe Geno (Shpati) Lenës (37 vjeç).

Dy miqtë janë vrarë me armë zjarri në një pritë të ndodhur mëngjesin e të enjtes pranë fshatit Panaja të Vlorës te mbikalimi në autostradë.

Dyshohet se atentati ka ndodhur për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës, Hakimi, shtetasi Eduart Xhezo, 3 vjet më parë ka vrarë Arben Beqirajn në 5 gusht 2019 në lokalin e këtij të fundit në zonën e Plazhit të Vjetër.

Eduart Xhezo, i dënuar më herët për disa vepra penale, e vrau Beqirajn pas një konflikti për shkak të zhurmës së një kali, i cili ka kaluar mes plazhistëve në zonën që administrohej nga viktima.

Xhezo u arrestua një vit më vonë për ngjarjen dhe aktualisht është në burg për vrasje, pasi gjatë konfliktit la të plagosur djalin e viktimës dhe një të afërm të tij.

Sakaq, 37-vjeçari Lena, së bashku me dy të tjerë u arrestuan më 23 mars të këtij viti në kuadër të operacionit "Waves".

Asokohe ai u akuzua për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", ky shtetas ka precedent penale në fushën e krimit kundër personit dhe "Prodhim dhe shitja e narkotike".

Dinamika e atentatit

Makina tip ‘Benz’ me të cilin udhëtonin dy viktimat u qëllua me breshëri plumbash me kallashnikov nga një makinë në lëvizje, e cila i qëlloi nga pas, duke i lënë të vdekur në vend.

Pasi u qëlluan me mbi 30 plumba mjeti i tyre doli rruga duke ecur mbi 200 metra dhe ka përfunduar në një kanal.

Sipas burimeve policore, Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, lëviznin kohët e fundit me makinë të blinduar, pasi duket se i druheshin një atentati.

Por autorët, duket se kanë qenë duke i ruajtur dhe sapo kanë vënë re që kishin marrë automjet tjetër, kanë vënë në zbatim planin për atentat, duke i ekzekutuar në një zonë ku nuk ka shumë qarkullim automjetesh.

Makina e djegur dhe 3 kallashnikovë

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, u konstatua duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. 

Nga këqyrja paraprake e automjetit, dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike. Paraprakisht mendohet se atentatorët kanë qenë 3 persona, njëri në rolin e shoferit të mjetit, ndërsa dy të tjerët në rolin e qitësit, duke hapur zjarr me breshëri ndaj makinës së viktimave.

Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka nisur hetimet për të zbardhur krimin. Për shkak të atentatit në autostradë, është krijuar radhë e gjatë automjetesh që shkojnë drejt qytetit bregdetar të Vlorës.

Ngjarja e rëndë vjen pas dy vrasjeve të një dite me parë në Elbasan dhe në Sarandë, ku për shkaqe në dukje banale, humbën jetën dy të rinj.

Ngjarja e para 3 viteve në plazh

Atentati i kësaj të enjteje dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e Arben Beqirajt pas një sherri për kalin në pronësi të Eduart Xhezos.

Kali i prishi qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, ndaj Arben Beqiraj me grupin e tij rrahën rojën, Gazmend Alushi.

Ky i fundit, i cili paguhej 100 mijë lekë të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kfshës, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokalin e tyre.

Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali, duke e pyetur se kush e kishte rrahur dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”.

Ermal Xhezo është vënë në lëvizje, ka mobilizuar shokët e tij, si Shpati Lena dhe kunatin e tij, Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqirajt, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezos.

Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodajt.

Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale, si Ariel Kingji, Kristi Dolli dhe Shpati Lena u arrestuan nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë