Ana e errët

Ngjashmëria ekstreme e atentatit në Vlorë me atë të Fushë-Krujës, ndryshimi i vetëm është numri i viktimave

Nga vëzhgimi dhe rindërtimi paraprak i dinamikës së ekzekutimit të dy personave në aksin rrugor Fier-Vlorë, që tronditi vendin paraditen e kësaj të enjte, policia ka vënë re një ngjashmëri të madhe në mënyrën e ekzekutimit me ngjarjen e ndodhur më 17 korrik te mbikalimi i Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë tre persona.

Së pari, ashtu si në rastin e Fushë-Krujës, edhe në mbikalimin e Panajasë, vendi i zgjedhur nga autorët për kryerjen e vrasjeve konsiderohet ‘pikë e errët’, pra që nuk ka asnjë kamer që të filmojë dhe regjistrojë autorët.

Së dyti, nga rindërtimi paraprak i ngjarjes, policia beson se në të njëjtën mënyrë si te mbikalimi i Fushë-Krujës, edhe në vrasjen e dyfishtë të kësaj të enjteje në Vlorë, autorët kanë ndjekur shënjestrat e tyre për kilometra me radhë dhe kur kanë mbërritur te vendi i menduar për ekzekutimin e tyre kanë goditur.

Së treti, ngjashmëria lidhet me mënyrën e ekzekutimit. Edhe në këtë rast dinamika është e njëjtë, autorët janë futur në parakalim dhe nga dritaret anësore të mjetit të tyre dyshohet se kanë qëlluar me breshëri automatike të paktën dy persona.

Së katërti është saktësia e lartë në qitje e autorëve. Në rastin e Fushë-Krujës vetëm një predhë fisheku, nga rreth 90 të qëlluar u gjet jashtë makinës në të cilën mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Në ngjarjen e regjistruar këtë të enjte në Vlorë, policia është ende duke mbledhur provat, por nga pamjet e shpërndara shihet përqëndrimi i lartë i plumbave te xhamat e automjetit në të cilën udhëtonte Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Paraprakisht, dyshohet se ndaj tyre janë zbrazur të paktën 60 fishekë.

Së pesti, ngjashmëria mes dy ngjarjeve lidhet me mënyrën e arratisjes së autorëve. Ashtu si në rastin e Fushë-Krujës, edhe në këtë rast ata janë larguar vetëm pak kilometra nga vendi i ngjarjes dhe i kanë vënë flakën automjetit me të cilin kryen krimin. Policia tha më vonë se makina ishte me targa italiane dhe rezultonte e vjedhur një vit më parë. Brenda makinës u gjetën tre armë Kallashnikov.

Dallimi i vetëm mes dy ngjarjeve është numri i viktimave. Në Fushë-Krujë mbetën të vrarë 3 persona, ndërsa në atentatin e kësaj të enjte në Vlorë dy persona. Gjithsesi, në të dyja rastet viktimat rezultojnë persona me precedentë penalë në të shkuarën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë