Drejtësia

Vrasja e biznesmenit në Sarandë/ Gjykata lë në qeli Kostandin Voglin

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën “Arrest në burg” për 31-vjeçarin Kostandin Vogli, i cili ndodhet i shtruar në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, nën masa sigurie, pas plagosjes me armë zjarri në këmbë. Ndërkohë, ka lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për 50-vjeçarin Viktor Ruçi.

Ishte pikërisht konflikti i pronësisë së këtyre dy personave, për një Beach-Bar në bregdetin e Bashkisë Himarë, ai që degjeneroi më pas në sherr me sende të forta e deri në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës.

Seanca për Voglin u zhvillua në ambientet e spitalit, ku prokurorja e çështjes, Armida Kaçi, kërkoi masën “arrest në burg” për akuzat “Moskallëzim i krimit”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosje” e kryer në bashkëpunim.

Gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën “arrest në burg” ndaj Voglit. Megjithatë, Gjykata mbajti një qëndrim të ndryshëm nga Prokuroria sa i përket cilësimit juridik të ngjarjes. Sipas Gjykatës, mbi bazën e akteve të paraqitura deri në këtë fazë, fakti juridik duhej të cilësohej si “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë