Dosje

Vrasja e biznesmenit në Laç, sherri për një vajzë me djalin e viktimës shkaktoi hakmarrjen

Sherri për një vajzë me njërin prej djemve të Rakip Rrolit ka qenë shkaku i vrasjes së biznesmenit nga Laçi 10 ditë më parë.

Autori i dyshuar i krimit, Llej Lika, ka treguar se konfliktin prej muajit korrik 2021, e ka pasur me njërin nga djemtë e Rakipit, ku shkak është bërë ngacmimi i një vajze.

Kjo gjë ka sjellë edhe vrasjen për hakmarrje të babait të tyre, Rakip Rroli në 10 dhjetor në fshatin Sanxhak të Kurbinit.

Fillimisht Lika dhe njëri nga vëllezërit Rroli, janë konfliktuar verbalisht, duke e sharë dhe ofenduar njëri-tjetrin me fjalë të rënda. Sherri mes tyre ka vijuar, pasi në përplasje është përfshirë edhe biznesmeni 55-vjeçar dhe djali tjetër.

Dy vëllezërit, Sokol dhe Isuf Rroli, së bashku me babanë e tyre, e kanë rrahur të riun brutalisht në një lokal në mes të fshatit, teksa ky i fundit po qëndronte me miqtë e tij. Ata i kanë shkaktuar plagë të rënda, aq sa 22-vjeçari u detyrua të shkonte në spital për mjekim.

Gjatë dëshmisë së tij në polici, i riu ka pohuar se ka vepruar I vetëm. “Kam shkuar pranë banesës së tij dhe në një rrugicë jam pozicionuar për të pritur se kush do dilte nga shtëpia, Rakipi apo ndonjë nga djemtë e tij. Në momentin që nga shtëpia ka dalë Rakipi, e kam ndjekur për disa metra me makinë dhe më pas i jam afruar duke e qëlluar”- ka treguar Llej Lika.

Pas vrasjes, 22-vjeçari ka pranuar se ka shkuar në vendin ku u dhunua nga viktima dhe djemtë e tij për të vëënë “nderin” në vend, duke “festuar” me breshwri automatiku.

“Ika nga vendi i ngjarjes dhe kam shkuar tek lokali i fshatit ku më dhunuan dy djemtë dhe Rakip Roli. Aty kam zbritur nga makina dhe kam qëlluar një herë me breshëri, duke bërtitur me zë të lartë “…i mora hakun, vura nderin në vend”.

I riu u kap nga policia i fshehur në shtëpinë e një prej familjarëve të tij në Milot, pak ditë pasi ishte shpallur në kërkim. Përveç Llej Likës, në pranga kanë rënë edhe babai i tij, Skënder Lika dhe miku Klajdi Gjegjaj.

Edhe pse i riu ka këmbëngulur se asnjë nga të dy nuk është i përfshirë si bashkëpunëtor në vrasje, gjykata i ka lënë në burg të tre. Viktima Rakip Rroli njihej si biznesmen në Laç dhe para disa viteve ishte dënuar për rrahjen e një të riu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë