Drejtësia

Vrasja e Azem Hajdarit/ Izet Haxhia dënohet me 21 vite burg

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor Izet Haxhinë për vrasjen e Azem Hajdarit. Trupa gjykuese e ka dënuar me 21 vite burg për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, dënim të cilin do ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Haxhia nuk ishte i pranishëm në sallë, por nëpërmjet një deklarate, ai kërkonte pafajësinë. Ai nuk kishte bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, për pasojë nuk përfiton ulje me 1/3 të dënimit.

LEXO EDHE:
– Avokati i Izet Haxhiajt: Tentohet eliminimi i tij fizik, ndërpriten deklarimet kundër Berishës
– Odiseja e dosjes “Hajdari”, gjykimi i Izet Haxhisë në Gjykatën e Lartë

Në kohën e vuajtjes së dënimit, Haxhisë do t’i llogaritet koha e qëndrimit të tij në paraburgim në Turqi dhe në ‘arrest në burg’ në Shqipëri dhe pas vendimit të sotëm, duhet të qëndrojë në qeli për rreth 15 vjet.

Në fillim të këtij viti, Prokuroria kërkoi 25 vite burg, ndërsa gjykata vendosi t’i ulë vetëm 4 vjet. Pas vrasjes së Azem Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi, ku u arrestua në vitin 2006, për t’u ekstraduar më pas në 8 maj 2018.

Në periudhën që përgatitej dosja e ekstradimit të tij nga autoritetet shqiptare, Haxhia kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta.

Atij nuk iu miratua azili, po përfitoi një leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar, me kushtin që të mos dilte jashtë Turqisë.

Për 12 vjet me radhë, autoritetet turke kishin refuzuar transferimin e tij në Shqipëri, por në 2018-ën, Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin dhe ky vendim u pranua edhe nga Ministri Turk i Drejtësisë.

Në gjyqin që u zhvillua në mungesë të tij, 52-vjeçari nga fshati Babinë i Tropojës u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Azem Hajdarit në 29 prill të vitit 2002.

Pas ekstradimit nga Turqia, ai nisi betejën me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të bujshme të këtyre 30 viteve, duke u cilësuar si “vrasja e shekullit”, ku shkak u bë kërkesa e Haxhisë për rigjykim.

Pas viteve ’90, Haxhia ka qenë për një periudhë të gjatë truprojë e ish-presidentit Sali Berisha, me të cilin kërkoi përballje në gjyq, duke e akuzuar si një nga përgjegjësit për vrasjen e Hajdarit.

Azem Hajdari u vra me armë zjarri jashtë godinës së Partisë Demokratike me 12 shtator 1998. Që nga 2018 Haxhia nisi betejën me drejtësinë shqiptare, ndërsa seancat ndaj kanë qenë të panumërta deri sot kur u mor vendimi nga shkalla e parë e Gjykatës së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë