Një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit Alket Muhaj në Memaliaj, policia ka shoqëruar 5 persona. Muhaj u gjet i vrarë me një plumb pas koke me kallashnikov ditën e djeshme në fshatin Rabie.
Sipas burimeve, ekzekutimi i 43-vjecarit ka lidhje me një kontroll që policia ka ushtruar në datën 4 shtator në fshatin Gllavë, fshati më i afërt me atë të viktimës, ku zbuloi dhe shkatërroi një parcelë hashashi. Dyshohet se 43-vjeçari i ka treguar policisë për hashashin që kultivohej në këtë fshat. Gjithmonë sipas burimeve tepër të rezervuara, vrasja e Muhajt dyshohet të jetë vepër e pronarëve të drogës së kultivuar.
Një pistë tjetër për vrasjen e tij është ajo e konflikteve për pronat, ku sipas gruas së tij, 43-vjeçari ishte shfaqur i shqetësuar, shqetësime të cilat ia kishte shfaqur edhe asaj, por pa i përmendur diçka konkrete.
Viktima Alket Muhaj ishte i martuar dhe kishte fëmijë.
Ndërkohë, babai i tij, Gjolek Muhaj, në një prononcim është shprehur se nuk kanë pasur konflikte me askënd dhe kërkon nga shteti të kapen autorët.
“Nuk kam ndonjë dyshim pse mund të ketë ndodhur vrasja e djalit. Nuk kishim konflikte të hapura që mund të na sillte këtë fatkeqësi. I bëj apel shtetit të gjendet autori. Djalin ma kanë vrarë me dy armë, me çifte dhe me automatik”, thotë babai i të ndjerit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për vrasjen, në vendngjarje në fshatin Rabie shkuan shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku deri më tani kanë shoqëruar 5 persona, të cilët mund të kenë dijeni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.