Drejtësia

Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, lihen në burg 4 të miturit

Nga Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për katër të arrestuarit e mitur për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici.

Të rinjtë Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç u arrestuan për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici, i cili u godit me thikë në zemër dhe plagosën kushëririn e tij me inicialet M. L, i cili vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.

Këta të mitur akuzohen për vrasje në bashkëpunim, dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

15-vjeçari Fatjon Bici u godit me thikë gjatë një konflikti me 4 persona të moshave 14 deri në 16 vjeç.

Pasi doli nga mësimi, ai pa në një rrugicë kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.

Por goditjet me thikë i morën jetën adoleshentit, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur.

4 të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me Marko Bicin kishte nisur rreth 2 muaj më parë në një kënd lojërash dhe më pas ishte përshkallëzuar në rrjetet sociale.

Avokati i autorit: Fajtore e gjithë shoqëria

Avokati i të miturit që goditi për vdekje me thikë 15-vjeçarin në Gramsh, bëri përgjegjëse shoqërinë, rrjetet sociale dhe mediat për ngjarjen e ndodhur 4 ditë më parë.

Në një deklaratë për mediat pas dhënies së masës së sigurisë arrest me burg për 4 të miturit, Oligert Kume shprehu solidaritetin me dhimbjen e prindërve të adoleshentit, që humbi jetën dhe kërkoi nga media përcjellje të lajmeve në interes publik. Për ngjarjen ai fajësoi edhe mungesën e kontrollit nga shkolla dhe familja.

“Unë përfaqësoj të miturin në konflikt me ligjin Xh. Ç. dhe jam i autorizuar nga prindërit për të dhënë deklaratë për çështjen. Solidarizohem jo vetëm si avokat e qytetar, por edhe si përfaqësues i prindërve të Xhonatanit, me dhimbjen e jashtëzakonshme të prindërve të të miturit që nuk jeton më dhe i urojmë shërim të shpejtë të miturit të plagosur. Ju si media plotësoni detyrimin hyjnor, të përcillni lajmin në interes publik. Kjo ngjarje, fajtore është e gjithë shoqëria shqiptare, që do të thotë të ndërgjegjësojmë komunitetin ku jetojmë. Ku kanë gabuar strukturat shtetërore që kanë pasur detyrë të garantojë një jetë fëminore. E gjithë shoqëria shqiptare është fajtore për ngjarjen, çka do të thotë që media do të duhet të vijojë në përcjelljen e lajmeve me interes të lartë publik që kanë të bëjnë me faktin se në çfarë ambienti po i rrisim fëmijët tanë, çfarë sigurie kanë? Se armët, thika ndodhen e shiten online dhe do të duhet të inciojmë tema diskutimi për portale TikTok e Snapchat. A përbën interes publik se shëndetin mendor dhe jetesën fëminore po na i dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme dhe përplasja ka ardhur edhe si rezultat i përdorimit pa kriter të telefonit dhe mungesës së kontrollit të trinomit çelës që ka të bëjnë me mirërritjen; shkolla, familja dhe fëmija".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë