Kur pritej që fillimisht të votohej për buxhetin e katër aktet normative, kryeparlamentari Gramoz Ruçi që në fillim njoftohej se do të votohej për kryeprokurorin e ri, duke ftuar deputetët që të mos largoheshin nga salla. Në seancë ka munguar deputetja Rudina Hajdari, ndërsa nga mazhoranca të vetmit që nuk ishin në seancë ishin ministret Olta Xhaçka dhe Besa Shahini, por vetëm e para me të drejtë vote. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla do të ripërsëriste thirrjen e deputetëve socialistë të mos largoheshin nga salla. Më herët grupi parlamentar i PS-së kishte vendosur pëfundimisht për të zgjedhur Çelën, duke “tradhtuar” kështu Arta Markun, të cilën e zgjodhën në mënyrë të përkohshme dy vite më parë.
Në votimin e parë mazhoranca, por edhe opozita ka votuar pro kandidaturës së Olsjan Çelës. Pro emrit të tij ishin 101 deputetë, ndërsa dy vota kundër dhe 10 abstenim. Votimi për kryeprokurorin ishte i fshehtë dhe elektronik, e vota e deputetëve ishte pamundur të shquhej, por nga socialistët vështirë se mund të ketë pasur rrjedhje. Edhe pse votat dukshëm flisnin se Çela tashmë ishte kryeprokurori i ri, Ruçi preferoi të vijonte votimin për dy kandidatët e tjerë, duke hedhur për votim kandidatët e tjerë të renditur nga ana e Këshillit të Lartë Prokurorisë.
Sipas renditjes, radha për votim ishte e Arta Markut. Në këtë votim vetëm 11deputetë ishin pro kryeprokurores së përkohshme, dhe se 22 ishin kundër. Ajo që ra në sy ishin votat abstenuese dhe pjesa më e madhe e këtyre vinin brenda mazhorancës, e cila e tradhtoi me një votë që cilësohet si as pro dhe as kundër. Kandidatja e tretë, Fatjona Memçaj mori vetëm 8 vota pro, 16 kundër dhe 87 abstenim. Ruçci ndërsa po hidhte për votim buxhetin e ri dhe aktet normative, kërkoi që Çela të ishte i pranishëm në sallë për të bërë betimin si kryeprokuror në Parlament.
Mazhoranca pas dy vitesh u detyrua që të mos e votonte Arta Markun, duke ndikuar kështu edhe nga renditja e që Këshillit i Lartë i Prokurorisë i kishte bërë tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Në këtë proces mazhoranca mund të jetë ndikuar edhe nga sinjalet që mund të kenë pasur nga ndërkombëtarët, por edhe nisur edhe nga fakti se me këtë votim kryhej edhe një vlerësim në mënyrë indirekte të KLP-së, organi që ka dalë nga reforma në drejtësi.
Vetë kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ishte i pranishëm në sallë në momentin e votimit të kandidatëve për kryeprokurorë. Pas mbylljes së votimit të projektligjeve, Ruçi ftoi kryeprokurorin e ri, Çela, i cili do të qëndrojë në këtë detyrë për shtatë vite për të kryer betimin.
Çela ka preferuar të flasë në një moment të dytë për mediat, por menjëherë ai është vënë nën mbrojtjen e Gardës së Republikës.
Zgjedhja e prokurorit të ri erdhi pas një sërë procedurash të kryera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili pas intervistimeve të bëra ne seance publike u rendit i pari nga tre kandidatët që kandiduan për postin e kryeprokurorit. Në dhjetor të 2017-ës për shkak të ngecjes së procesit të reformës në drejtësi, mazhoranca hodhi idenë e zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, deri në ngritjen e organeve të reja të vettingut, si dhe të realizonte edhe procedura e kalimit të kandidatëve në procesin e rivlerësimit të kandidatëve.
Më 18 dhjetor të 2017, mazhoranca kishte në rendin e ditës zgjedhjen e kryeprokurores dhe si kandidate kishte Arta Marku, një prokurore që kishte punuar në qytetin e vështirë të Shkodrës. Pro emrit të saj ishin 69 deputetë, ndërsa 2 abstenuan dhe dy deputetë të tjerë ishin kundër. Ndërsa që 38 deputetë të opozitës nuk votuan. Seanca u zhvillua në momente të forta tensione, pasi u hodhën edhe tymuese dhe ku deputetët e opozitës tentuan që të bllokonin seancën. Por pavarësisht kësaj nuk ia arritën, ndërsa Marku u detyrua të betohej në vendin më të lartë, ku Ruçi drejton punimet, pasi opozita kishte bllokuar foltoren e Parlamentit. Pas dy vitesh, Marku detyrohet të ushtrojë detyrën e prokurores së thjeshtë, por tashmë ajo si për ta shpërblyer për punën e bërë e kanë zgjedhur si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtëissë.
Votimi në Parlament
Olsian Çela
101 vota pro
2 vota kundër
10 vota abstenim
Arta Marku
11 vota pro
22 vota kundër
78 abstenim
2 nuk morën pjesë në votim
Fatjona Memçaj
8 vota pro
16 vota kundër
87 abstenim
3 nuk morën pjesë në votim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.