Rend dhe Ligj

Olsian Çela, kryeprokurori i parë i reformës në drejtësi

Olsian Çela është kryeprokurori i parë i Përgjithshëm i Shqipërisë i dalë pas reformës në drejtësi. Parlamenti votoi me 101 vota pro, 2 abstenim dhe 10 kundër emrin e tij, që u rendit i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte dërguar në Kuvend, ku e dyta renditej kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe e treta Fatjona Memçaj.

Zgjedhjen e Olsian Çelës e paralajmëroi grupi parlamentar socialist, që përmes një vendimi të marrë para nisjes së seancës parlamentare deklaroi se do të mbështesë kandidaturën e tij. Çela u “sponsorizua” edhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas shpalljes së listës se kandidaturave për kryeprokuror.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, në fund të seancës së vlerësimit të tre kandidaturave dhe shpalljes së pikëve për secilin prej tyre, ftoi Parlamentin që të ndiqte logjikën e institucionit që ai drejton.

“Ligji parashikon që Prokurorin e Përgjithshëm e zgjedh Parlamenti jo KLP në këto kushte ligji është ai që duhet mbajtur parasysh. Ne pa dyshim që do të bashkëpunojmë po aq mirë me secilin prej tyre. Ata janë të vlefshëm. Shpresojmë që kuvendi do ndjekë logjikën tonë sepse ne jemi ata që i vlerësojmë nga ana profesionale. Kuvendi ka marzhin politik”, tha ai.

Si e kaloi vettingun

Për të kaluar sitën e rivlerësimit në kriterin e pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit, Olsian Çelës i mjaftoi vetëm shkalla e parë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë në korrik të këtij viti dhe ky vendim nuk u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Olsian Cela pas konfirmimit në detyrë nga organet e Vettingut. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Tre ishin momentet gjatë seancave dëgjimore që vunë në pikëpyetje karrierën e Olsian Çelës në drejtësi. KPK iu referua një serie tranbsaksionesh që ishin mbyllur me blerjen e një dyqani me vlerë 78 mijë euro në Tiranë. Por, gjatë hetimeve, KPK tha se rezultoi se burimi kryesor i këtyre të ardhurave ishte mamaja e prokurorit.

Nga i njëjti hetim, KPK tha se e ëma, e tashmë kryeprokurorit, kishte burimet e ligjshme financiare për të justifikuar këtë shumë, por shprehu paqartësinë mbi arsyet e transaksioneve brenda familjes, kur vetë Çela jeton me nënën e tij. Çela e bindi trupën duke u përgjigjur se nuk bëhej fjalë për një akt shitblerjeje, por një rrugë juridike për formalizimin e kalimit të një pronësie.

Sa i takon kriterit të dytë, atë për aftësitë profesionale, KPK kujtoi një procedim disiplinor të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme pas përplasjes që shpërtheu në Prokurorinë për Krimet e Rënda për dosjen “Shullazi”.

KPK e cilësoi nul dhe pa efekt ligjor këtë procedim duke cituar se kompetencën për nisjen e një procedimi penal e ka vetëm Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, një organ që ende nuk është ngritur. Gjatë rivlerësimit të tij, KPK citoi edhe pushimin e hetimeve nga ana e prokurorit në një çështje që kishte në dorë 13 vite më parë. Çela u mbrojt duke deklaruar se për mungesë logjistike provat e siguruara ishin të pamjaftueshme për të vijuar hetimet.

Sa i takon integritetit, KPK në raportin përfundimtar vëren se nuk ka asnjë të dhënë që të lidhë Olsian Çelën me persona me precedentë penalë, apo të dyshuar të tjerë.

Ndahet rrugët e ish-shokëve të klasës

Rruga e tre ish-shokëve të Magjistraturës u nda nga votimi në Parlament. Olsian Çela, Arta Marku e Fatjona Memçaj ishin tre kandidatët për kryeprokuror me një mandat 7-vjeçar. Pas intervistimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri publik listën e pikëzimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. I pari u rendit prokurori Olsian Çela, ndjekur nga kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku dhe prokurorja Fatjona Memçaj. Olsian Çela mori 459 pikë, Arta Marku 406 pikë dhe Fatjona Memçaj 362 pikë. Para nisjes së seancës parlamentare të kësaj të enjteje, burimet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste thanë se është marrë vendimi politik që mes 3 kandidatëve të votohej Olsian Çela.

Arta Marku, Olsian Cela dhe Fatjona Memcaj. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Kryeprokurori i ri zgjidhet me 84 vota, por në rast se kjo shifër nuk arrihej nga asnjëri prej kandidatëve, atëherë detyrën e merr ai që është i renditur i pari.

Kush është Olsian Çela?

Ai është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001. Karriera e tij nisi si prokuror i Tiranës, ku pas 3 vjetësh kaloi prokuror te Krimet e Rënda. Prej kohësh ai është anëtar i bordit në Shkollën e Magjistraturës dhe pedagog i jashtëm në dy universitete. Çela është pika e kontaktit të misionit europian “Eurojust” në Prokurorinë shqiptare dhe përgjatë viteve është trajnuar në disa vende në BE dhe SHBA.

Çela pati në dorë disa nga dosjet më të nxehta të trafikut të drogës, siç ishte dosja “Xibraka” që la në burg nipin e Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi, apo dosjen ‘Kompas’ që la në burg 32 persona që përdornin prostitutat si korrierë dhe çështjen e vrasjes së Mirit të Xhikës dhe grabitjen e parë të Rinasit në 2016.

Po ashtu Çela ka hetuar edhe Emiljano Shullazin. Për këtë çështje dy vjet më parë, ai u përplas me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela. Ndërhyrja e kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku për këtë konflikt solli transferimin e tij në Berat. Por Çela ankimoi vendimin e Markut dhe u rikthye te Krimet e Rënda.

Në këtë konflikt me Prelën u kuptua edhe ambicia e tij për të qenë në krye të organit qendror të akuzës shqiptare, aq i debatueshëm këto dy vitet e fundit, që kur në krye të këtij institucioni u zgjodh përkohësisht Arta Marku. Po ashtu Çela është edhe prokurori që hetoi grabitjen e parë të parave në pistën e Rinasit.

Çela: Jemi të ashpër me të dobëtit, po përgatisim fidanishte të krimit

Më 13 nëntor në seancën e intervistimit në KLP, Olsian Çela ishte kandidati i tretë për postin e kryeprokurorit që doli përpara Këshillit të Lartë Prokurorisë dhe ndërkombëtarëve. Renditja ishte sipas rendit alfabetik.

Çela pranoi se prokuroria ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta. Sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë, pasi krijon probleme të rënda sociale.

“A ka qenë e domosdoshme vërtet që prokurori të shkojë të kërkojë masa ekstreme në çdo rast? A mendojmë ne që ai njeriu që ka bërë një vepër penale me të cilën mund të hetohet dhe pa shkuar në burg, ka një punë ka një familje, ka fëmijë që ngelen pa mbështetje?! Ata fëmijë të cilët e atij njeriu që dënohet me burg kur ndoshta mund të aplikoheshin metoda alternativa të dënimit, si do jetojnë? Do jenë në rrugë! Çfarë do bëjnë për të jetuar? Ne nuk jemi një shoqëri e pasur. Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit”, ka thënë prokurori Çela.

Olsian Cela duke dalë nga seanca e intervistimit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Më tej, ai u shpreh se edhe vetë Kodi i Procedurës Penale të lejon të zbatosh si duhet, të mos jesh ekstrem.

"Ne përgjithësisht jemi ekstrem, nuk i di arsyet. Ajo që unë kam propozuar në platformë është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal, sanksionet e zbatuara, efektet që kanë këto sociale mbi qytetarët, efektet parandaluese pra sa na kanë ndihmuar ne për të ulur kriminalitetin”, theksoi Çela.

Pyetjes së anëtarëve të KLP-së se si do e përballonit presionin e politikës nëse zgjidheni, Çela iu përgjigj:

“Të jesh prokuror i përgjithshëm është fytyra e organit. Tek prokurori i përgjithshëm qytetarët shohin garantin e sigurisë së tyre. Media kërkon të jetë model për interesin publik. Nuk ka nevojë prokurori i Përgjithshëm t'i nënshtrohet presionit politik. Ne po fitojmë pavarësinë me vettingun. Në qoftë se nuk është i përgjegjshëm nuk do të ishte një funksionar i mirë por thjesht një zbatues mekanik! Demokracia mbrohet duke vënë para përgjegjësisë penale ata që shkelin ligjin! Duke qenë vigjilent ndaj respektimit prokurori të jetë edhe në hallkën e pare garantuese edhe të ligjit edhe që shoqëria s’do t’i nënshtrohet dhunës së arbitraritetit”, tha Çelaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë