Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur poshtë raportimet mediatike për një sulm me dron detar ndaj një korvete ruse në Libi, duke i quajtur të pavërteta pretendimet e mediave se mjeti u nis nga Shqipëria.
Ministria sqaron se nuk ka asnjë përfshirje të Shqipërisë në këtë ngjarje dhe as të territorit të saj. Pretendimi u përhap nga Clash Report, një faqe që raporton kryesisht për luftërat dhe konfliktet e armatosura, si dhe nga llogaria Visioner në platformën X.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë”, thuhet në reagim.
Anija ruse me raketa Mercury pësoi dëme të mëdha pas një shpërthimi në portin e Bengazit, në rajonin lindor të Libisë në Cyrenaica. Associated Press, duke cituar dy zyrtarë ushtarakë libianë, raporton se korveta pësoi dëme të rënda. Sipas zyrtarëve, të cilët folën në kushte anonimiteti, hetimi paraprak tregonte se dronët ishin nisur nga një bazë në perëndim të Libisë, e përdorur nga forcat ukrainase.
Vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori përsipër sulmin. Në një postim në X, ai deklaroi se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në vend dhe fundosën korvetën ruse. Zelensky deklaroi sot se gjatë operacionit u shkatërrua edhe një helikopter ushtarak Ka-27 dhe u godit anija e mallrave “MV Angara”, të cilën, sipas tij, Moska e përdorte për transportin e armëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje