Në kuadër të lobimit për hapjen e negociatave, Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Paris, për të bindur një nga vendet skeptike të BE të japë votën e saj “pro” në qershor.
Pas kërkesës së Kryeministrit, kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron do të presë në takim Ramën në pallatin presidencial Elysée në Paris.
Presidenca franceze ka publikuar në faqen e saj në Facebook axhendën e sotme të Presidentit Emmanuel Macron, ku është përfshirë edhe takimi me Kryeministrin shqiptar.
Vizita e Ramës në Francë, vjen pas asaj që pati në Gjermani, ku u prit edhe nga kancelarja Angela Merkel.
Gjermania, Franca dhe Holanda janë ndër vendet më skeptike për të miratuar hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Më herët, Kryeministri Rama është shprehur për mediat e huaja se BE nuk ka asnjë kosto nga hapja e negociatave me Shqipërinë, por ato janë jetike për vendin tonë.
Pas rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian, vendet e BE pritet të marrin vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë në muajin qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.