Futboll

Vora kampione e Kategorisë së Dytë, mund Elbasanin në finalen e ‘Air Albanias’

Gazeta Si – Vora fiton titullin kampion të Kategorisë së Dytë, duke mundur 2-1 Elbasanin në “Air Albania”. Një skenë luksi për dy skuadrat fituese të grupeve, që luajtën aktin final në stadiumin e Kombëtares. Festa në fund i takoi Vorës së trajnerit Artan Mërgjyshi.

Elbasani kaloi i pari në avantazh me Lleshin pas 19 minutash lojë, por Avdiu barazoi shumë shpejt. Po ky lojtar do të realizonte edhe golin e dytë për Vorën në pjesën e dytë, duke përfituar nga një top i kthyer nga portieri në qendër të zonës.

Elbasanasit ishin pa fat, pasi goditën edhe një shtyllë me Gavën, ndërsa Koçi u ndal nga portieri Jata. Gjatë minutave të fundit pasi shumë ndërprerje loje dhe nervozizëm. Trofeu i kampionit të Kategorisë së Dytë, që është niveli i tretë i futbolit në vend, shkon në Vorë.

Për Elbasanin është pozitiv fakti që është ngjitur në Kategorinë e Parë, pasi ndez shpresat e rikthimit në elitë. Elbasani është dy herë kampion i Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë