Arsim

Vonesa e bursave, 98% e studentëve nuk i kanë marrë prej 5 muajsh: Do kishim blerë mjetet mësimore

Nga Gazeta Si- Sipas një pyetësori të bërë nga Qëndresa Qytetare, 98 për qind e studentëve kanë deklaruar se nuk kanë marrë bursat prej të paktën 5 muajsh.

Gazetasi.al ka biseduar me dy prej studentëve që nuk kanë marrë bursat prej kohësh, të cilët kanë treguar se si ka ndikuar në gjendjen e tyre ekonomike, dhe jo vetëm, kjo mungesë.

Mateo Yskollari studion në vitin e parë dega Inxhinieri Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është përfitues i bursës meritore (bursa e ekselencës) prej 10.000 lekësh.

Yskollari tregon për Gazetasi.al se për 4 muaj ai nuk ka marrë bursë.

“Për momentin, prej 4 muajsh në llogarinë time ka kaluar vetëm 1 muaj bursë, 10.000 lekë”, thotë Yskollari.

I riu vjen nga Pogradeci dhe tregon se shkëputja nga arsimi i mesëm në atë të lartin nuk ka qenë aspak e thjeshtë për të.

“E kam nisur universitetin si diçka madhore, mendoja se gjithçka këtu do të shkojë siç duhet, por realisht kur gjykon edhe si një ‘aktor’ i jetës studentore, jo shumëçka shkon ashtu siç pritet dhe duhet të shkojë”, thotë Yskollari i cili tregon se një nga vështirësitë ka qenë dhe përballimi i jetesës financiarisht.

“Të vish nga një rreth i vogël për të jetuar krejtësisht i pavarur nga familja jote në kryeqytet është e rëndë për një student, sepse tashme çdo shpenzim do jetë akoma më i lartë në vlerë dhe aq më tepër i ndarë nga familja”, thotë Yskollari.

Studenti Mateo Yskollari, Gazeta Si, 2023.

Edhe pse 10.000 lekë nuk janë ‘shpëtim’ dhe gjithmonë ka nevojë për ndihmën e familjes për të përballuar jetesën, Yskollari thotë se gjithsesi janë një ndihmë që kur vjen çdo muaj, të “zgjidh punë”.

“Unë sidomos kisha nevojë për ato para në muajt e parë të qëndrimit në Tiranë, kur pretendohej të merrja në dorë frerët e buxhetit tim”.

Yskollari jeton me qira me shokët e tij në një shtëpi ku qiraja mujore është 50.000 lekë. Më pas janë mjetet shkollore të cilat mesatarisht shkojnë 10.000 lek në muaj dhe ushqimi i cili mund të llogaritet me një vlerë 20.000 lekë.

Me bursën Yskollari llogarit që të paktën do të paguante mjetet shkollore, pa të cilat nuk do të mund të mbante një mesatare të mirë në mënyrë që të meritojë bursën.

Yskollari thotë për Gazetasi.al se studentët janë lënë të përjashtuar nga cdo pako e ndihmës financiare vitet e fundit dhe vonesa e bursës meritore është “pika mbi i”.

“Edhe pse një bursë e vogël ajo nuk jepet në kohë dhe vonohet në periudha të gjata dhe vetëm na ka mbetur të themi “E kemi, por s’na hyn në punë, sepse se marrim!””.

Ritvana Hajdari është studente e vitit të parë psikologji në Universitetin e Tiranës dhe trajtohet me bursën e ekspelencës.

Ajo tregon se sa herë që i është drejtuar zyrës së financave, përgjigjja që ka marr ka qenë: Ende nuk na ka ardhur lista nga QSHA-ja”

“Unë jam vetë e treta në familjen time që ndjek studimet universitare dhe kjo është mëse normale që sjell vështirësi për familjen time”.

Studentja Ritvana Hajdari. Gazeta Si, 2023.

Edhe pse ndihmohet nga familja e saj, Hajdari thotë se ka raste që nuk e shtyn dot gjithë muajin dhe një shumë e tillë do të mjaftonte që të paktën mos të stresohej për fundin e muajit.

“Fakulteti im ka filluar procedurën e hedhjes së bursave që nga gjysma e Janarit, fillimisht me bursat sociale, ndërsa në llogarinë time janë hedhur javën që shkoj. Por di që në disa fakultete të tjera nuk ka filluar ende hedhja e bursave as atyre sociale që e kanë jetike”.

Hajdari thotë se për kalimin nga nxënës në student, një shumë e tillë e vogël është një ndihmë e madhe, sidomos kur po punon fort që të mbajë një mesatare të mirë që të mbajë më pas edhe bursën.

“Tani duhej të ishim duke diskutuar për rritje të bursës, nisur nga rritja e jetesës, jo për vonesë të bursave”.

“Është diçka ekstra/plus që një student të arrijë të përballojë ndryshimin që pëson. Habitem kur pyesin “Pse të rinjtë vendosin të largohen?”. Janë pikërisht këto çështje lehtësisht të zgjidhshme që marrin përmasa kaq madhore dhe nuk e dimë as se ku qëndron kleçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë