Politike

Vokshi: Tragjedia në Himarë s’ka lidhje vetëm me Arjan Tasen, por edhe me ministritë përgjegjëse   

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi përmes një njoftimi zyrtar nga selia se, “tragjedia që i mori jetën vogëlushes Jonada Avdia, në plazhin e Himarës, nuk është përgjegjësi vetëm e kryepolicit Arjan Tase”.

 “Ky vendim bën përgjegjës, jo vetëm policin Arjan Tase, që ‘shtiu me skaf’ në mes të plazhit, por edhe tërë zinxhirin e institucionet qendrore e vendore përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve në zonat bregdetare turistike:

Ja edhe lista e tyre:

– Ministria e Brendshme dhe strukturat policore janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet tragjike në bregdet.

Prania e mjeteve lundrues shumë afër bregut, apo ngjitur me plazhet, është papërgjegjshëmri që ka kaluar e vazhdon të kalojë pa vëmendje e pa ndëshkim.

– Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Rojës Bregdetare, nuk rezulton të ketë evidentuar qarkullimin e një mjeti lundrues, me fuqi 600 kubikë.

– Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Drejtorisë Detare, nuk rezulton të ketë kryer verifikime për madhësinë dhe fuqinë motorike të mjetit, në bazë të të cilave përcaktohet edhe hapësira ujore ku mund të qarkullojë.

– Ministria e Turizmit nuk rezulton të ketë kryer monitorimet përkatëse për stacionet e plazhit dhe pikat specifike për sportet ujore. Në rast se do të ekzistonte një verifikim i tillë nga strukturat e kësaj Ministrie, pika e “jet ski-ve” dhe motorëve të ujit ngjitur me çadrat në Potam nuk do të lejohej.

– Bashkia e Himarës me të gjithë strukturat e saj ka dështuar në monitorim të sigurisë së jetës dhe shëndetit të pushuesve duke lejuar ngritjen e një pikave të pajisjeve motorike në një plazh plot me pushues, ku nuk është përcaktuar ndërtimi i stacioneve të tilla?

– Administrata Tatimore, gjithashtu, ka dështuar në verifikimin e të ardhurave të krijuara nga stacionet e dhënies me qira të mjeteve lundruese e sportive duke lejuar që ato të mbijnë ku të duan dhe të shtojnë rrezikun”, renditi Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë