Ngjarje

Vodhi pantallonat për t’i shitur: Jam e ve dhe kam për të rritur 4 fëmijë

“Jam e ve, kam për të rritur katër fëmijë”. Kështu e nisi shpjegimin e saj në komisariatin numër një E. A, e cila u shoqërua në një qendër tregtare, pasi hoqi nga dy palë pantallona kutinë e alarmit.

Burime policore të gazetës Si tregojnë se hajdutja e pazakontë u zbulua nga shitësja që dëgjoi një zhurmë të çuditshme të ngjashme me kërcitjen, zhurmë që krijohej në dhomën e provës. Më, pas shitësja pohoi në polici se gruaja që doli nga dhoma e zhveshjes ishte e moshës 42 vjeç.

Mënyra se si hajdutja u justifikua më vonë i preku dhe kasieren dhe shitësen, por ishte shumë vonë duke qenë se ndërkohë policia ishe njoftuar. “I vodha pantallonat për t’i shitur, kam fëmijë të vegjël dhe është e vështirë meqenëse nuk arrij të gjej punë”, kërkoi mëshirë 42-vjeçarja.

Vlera e dy veshjeve në total nga vlerësimi rezultoi të ishte 1700 lekë, pas aplikimit të skontos në dyqanin e vjedhur. Burimet e gazetës Si shpjegojnë se pantallonat ishin fshehur në çantën e supit të E. A. Kur oficerët  e  pyetën se me çfarë metode ia kishte dalë mbanë të largonte kutinë e alarmit, gruaja tha: përdora një palë pinca të vogla. Në përfundim, policia deklaron për gazetën Si se do referojë hajduten e ve për të hetuar në gjendje të lirë, ndërsa pantallonat e vjedhura gjersa të mbyllet dosja me urdhër të policisë do të mbahen nën ruajtje nga shitësja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë